Osmani takon kryediplomaten e Islandës, flasin për thellim të bashkëpunimit
BKT
Lajme

Osmani takon kryediplomaten e Islandës, flasin për thellim të bashkëpunimit

E. Hoti/ RTKlive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Islandë, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Islandës, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.

Sipas komunikatës nga Presidenca, në takim me ministren Reykfjörd Gylfadóttir është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme.

“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe kontakteve përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të vendit tonë për promovimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ajo përmendi rëndësinë e madhe që ka për qytetarët e Kosovës avancimi tutje i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Osmani dhe Gylfadóttir kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik, të cilët kanë qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e vlerave tona të përbashkëta liridashëse.

“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike të Kosovës, duke përmendur hapat e ndërmarra për përafrim me BE-në dhe NATO-n, si dëshmi e vendosmërisë së palëkundur të popullit të Kosovës për këtë proces”, thuhet tutje në komunikatë.


MË SHUME NGA Lajme