Kërkohet mbrojtje për gratë e abuzuara seksualisht e psikikisht
Arlinda Sejda/RTK
Organizata "You can do" e mbështetur edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Evropian, kanë prezantuar të premten raportin për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara të cilat janë të abuzuara seksualisht e të cilat kanë përjetuar dhunë psikike dhe fizike. Në këtë raport u thanë se ka gra që janë të abuzuara por që nuk kanë mundësi të mbrohen.
"Sa më shumë të dhëna që t’i parandalojmë dukuritë për këtë grup të ndjeshëm. Ky prezantim i pari i këtij lloji që është bërë në Kosovë, për ne si institucion është i mirëpritur. Ky projekt ka përfshi dy regjione për 3 muaj", tha Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për qeverisje të mirë nga Zyra e Kryeministrit.
Mihrije Abdullahu, koordinatore e projektit "Promovimi i mekanizmave shtetëror që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara të gëzojnë jetën pa abuzime seksuale", tha se duhet ndërtuar një sistem që mbron viktimën e dhunës.
“Në kuadër të këtij projekti kemi bërë hulumtime në disa institucione në dy regjione. Në më pak se një muaj identifikuam 20 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara të cilat ballafaqohen me dukuri të tilla", deklaroi Abdullahu, e cila tha se ato janë në një pozicion më të dobët për ta mbrojtur veten.
“Shteti duhet të krijoj një mjedis më të sigurt, derisa Ministria e Drejtësisë të siguroj që këto raste të ndiqen me ligj”, tha ajo.
E ndërsa Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, kërkoi që të gjithë të bashkohen për ta luftuar këtë dukuri, e derisa tha se sistemi i drejtësisë duhet të veproj me shpejtësi për t’i trajtuar këto raste.
“Ju bëjë thirrje që rastet nga ky hulumtim të deponohen te organet kompetente, policia, gjykatat e prokuroria. Si ministre e drejtësisë përkundër vullnetit nuk kam mandat as të hetoj as të gjykoj, kërkoj përgjegjësi dhe trajtim serioz të rasteve të tilla. Viktimat e dhunës tashmë kanë ndihmë juridike nga shteti, kemi fuqizuar programin për viktimat e krimit, dhe në vazhdimësi ju bëjmë thirrje të aplikojnë”, deklaroi Haxhiu.
























