Edhe pse jetojnë pranë liqenit, banorët e Orllanit nuk kanë ujë |Video
BKT
Lajme

Edhe pse jetojnë pranë liqenit, banorët e Orllanit nuk kanë ujë |Video

Valjete Shala|RTK

Banorët e fshatit Orllan të komunës së Podujevës të cilët jetojnë në afërsi të liqenit të Batllavës, i cili furnizon me ujë pjesën më të madhe të rajonit të Prishtinës, ende përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Ata presin kompletimin e projektit "Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në Orllan".

Nga Ministria e Mjedisit kanë bërë të ditur se së shpejti pritet që këta banorë të bëhen me ujësjellës.

Liqenin e kanë afër por ujë për vete ende nuk kanë tash e shumë vjet.

E deri të kenë ujë, Avdullah Shabani dhe shumë banorë të tjerë thonë se i duhet të sigurojnë ujin në forma të tjera.

Në mungesë të ujit, kanë nisur edhe peticion dhe shkresa ndaj institucioneve për përfundimin e ujësjellësit i cili thonë se u është premtuar në fund të vitit të kaluar.

Nga Ujësjellësi " Prishtina", kanë thënë se të gjitha punët nga ana e tyre janë kryer duke rekomanduar që për pjesën tjetër t'i referohemi Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ndërkaq, këta të fundit lidhur me Projektin: "Ndërtimi i sistemit të Ujësjellësit në Orllan" , kanë thënë se janë përfunduar pothuajse të gjitha aktivitetet e parapara në përmasë duke e përfshirë edhe testimin dhe funksionalizimin e rrjetit të Ujësjellësit. Por janë ende në pritje të aprovimit nga ana e Prokurimit të Variacionit Inxhinierik për furnizim me energji të Rezervuarit në Sordull.

Sipas tyre shumë shpejt pritet që banorët e Orllanit të kenë ujë të pijshëm.


MË SHUME NGA Lajme