Lakers bien në Nju Orlins, fitojnë Warriors, Nets dhe Bucks
BKT
Sport

Lakers bien në Nju Orlins, fitojnë Warriors, Nets dhe Bucks

rtsh

James shënoi 27 pikë duke shkurtuar vetëm në 36 pikë distancën që e ndan me pikëshënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në NBA, Kareem Adbul-Jabbar.

Kjo ishte e vetmja notë pozitive e mbrëmjes për Lakers, të cilët u mundën nga Pelicans në një duel mjaft të luftuar.

Nets morën një fitore të vlefshme përballë Uashington Wizards edhe pse mungonte Irving. Ky i fundit, u deklarua i dëmtuar, por duket se është më pranë se kurrë largimit nga Bruklini pasi prej katër ditësh ka kërkuar që të futet në merkato.

Në mungesë të tij heroi i mbrëmjes ishte Cam Thomas, autor i 44 pikëve. Falë tij Nets arritën që të merrnin një fitore të madhe pasi rregjistruan plot 70 pikë në dy periodat e fundit.

Mbrëmë Bucks morën fitoren e shtatë radhazi përballë një formacioni të fortë siç është ai i Heat. Më i miri për ekipin nga Miluoki ishte  Giannis Antetokounmpo me 35 pikë, 15 topa në tabelë dhe 11 asist. Për ekipin e Majemit rënduan shumë mungesat e disa lojtarëve. Për shkak dëmtimesh trajneri Erik Spoelstra kishte vetëm 9 lojtarë në dispozicion.

Mbrëmja ishte e hidhur për kampionët në fuqi, të cilët edhe pse fituan ndaj rivales të Konferencës të Perëndimit, Dallasit, janë në ankth për shkak të dëmtimit që detyroi Curry-n të braktiste parketin para kohe. Lojtari më i mirë për ekipin nga San Francisko pasi kishte shënuar 21 pikë u detyrua të largohej pasi kishte dhimbje në këmbën e majtë.

Rezultatet

NEW ORLEANS PELICANS-LOS ANGELES LAKERS 131-126

BROOKLYN NETS-WASHINGTON WIZARDS 125-122

DETROIT PISTONS-PHOENIX SUNS 100-116

NEW YORK KNICKS-L.A. CLIPPERS 128-134 (kohë shtesë)

CHICAGO BULLS-PORTLAND TRAIL BLAZERS 129-121

MILWAUKEE BUCKS-MIAMI HEAT 123-115

OKLAHOMA CITY THUNDER-HOUSTON ROCKETS 153-121

GOLDEN STATE WARRIORS-DALLAS MAVERICKS 119-113

DENVER NUGGETS-ATLANTA HAWKS 128-108