Sulmohet fizikisht trajneri Faruk Statovci, reagon FFK
BKT
Sport

Sulmohet fizikisht trajneri Faruk Statovci, reagon FFK

B. H. / RTKlive

Ish-futbollisti i njohur Faruk Statovci ka qenë shënjestër e dhunuesve mbrëmjen e kaluar në kryeqytet.

Ai është sulmuar në afërsi të banesës së tij nga dy persona me maska, teksa po kthehej nga një emision sportiv, ku ishte në cilësi të analistit. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditura edhe detajet.

"Sot rreth orës 01:20, kemi pranuar informatën për një lëndim trupor të ndodhur në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se një person është sulmuar fizikisht nga dy persona të dyshuar/maskuar dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti dhe është duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka njoftuar policia. Ndërkohë, për këtë rast ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës, e cila ka kërkuar nga organet ligjzbatuese që ta hetojnë rastin dhe personat e dyshuar të vihen para drejtësisë.

"FFK e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj trajnerit Statovci, i cili tash e sa kohë me përvojën dhe intelektin e tij kontribuon edhe në cilësi të analistit në disa emisione sportive në televizionet vendore. Një ngjarje e tillë e rëndë e ka goditur jo vetëm familjen Statovci, por edhe komunitetin e futbollit në tërësi. Prandaj, i bëjmë thirrje autoriteteve ligjzbatuese në vend që të punojnë në mënyrë intensive për hetimin dhe zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë që personat që ndërmorën këtë akt çnjerëzor të vihen sa më parë para drejtësisë", thuhet në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar.

FFK tutje ka thënë se shpreson se ngjarje si kjo "të mos ndodhin asnjëherë, pasi ato cenojnë lirinë e shprehjes por edhe imazhin e futbollit".

Njëherësh FFK dhe i gjithë komuniteti i futbollit ka dëshiruar Faruk Statovcit shërim të shpejtë dhe rikthim në punën e tij të përditshme si trajner i grupmoshave të reja.

Statovci punon edhe si trajner i Kombëtares U15 të Kosovës, derisa tash e disa vjet është edhe në rolin e analistit në emisionet sportive.