Reali pa Courtoisin edhe në Kupën e Botës për Klube
B. H. / RTKlive
Real Madridi humbi si mysafir nga Mallorca në ndeshjen e xhiros së 20-të të kampionatit spanjoll (1:0).
Ndeshja u vendos me golin e minutës së 13-të, që u shënua pas gjuajtjes me kokë të Vedat Muriqit, e cila u devijua nga Nacho. Reali tani është tetë pikë prapa liderit Barcelona.
Portën e Realit ndaj Mallorcas e mbrojti ukrainasi Andrey Lunin, pasi portieri i parë Thibaut Courtois u lëndua dhe u tërhoq në momentin e fundit nga formacioni titullar.
Mediat spanjolle raportuan se Courtois është lënduar në bark dhe për këtë arsye 30-vjeçari belg do të mungojë në Botërorin për klube, ku Reali do të luajë si kampion i Evropës këtë javë. Po ashtu, Courtois është i dyshimtë edhe për ndeshjen e parë me Liverpool-in në fazën eliminatore të Champions League, që do të luhet në "Anfield” më 21 shkurt.























