FSK nxjerr të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës dy vjeçe/Video
BKT
Foto: FSK
Lajme

FSK nxjerr të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës dy vjeçe/Video

E. Hoti/ RTKlive

Pjesëtarët e FSK-së që po marrin pjesë në misionin humanitar në Turqi, pas shpëtimit të një fëmije 2 vjeçe, kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat dhe të shpëtojnë edhe nënën e saj.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Heronjtë tanë arrijnë të shpëtojnë edhe nënën e fëmijës dy vjeçar. Pas nxjerrjes së fëmijës, vajzës dyvjeçare, heronjtë dhe heroinat tona me përpjekje të pandërprera dhe angazhim vetëmohues arritën të nxjerrin nga rrënojat edhe nënën e saj. Ju lumtë krenaria jonë!”, ka shkruar Mehaj.

Momente kur njësiti i FSK-së nxjerr nga rrënojat një fëmijë 2 vjeç/Video

M.Shefkiu/RTKlive

Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.

“Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se kontingjenti i FSK-së po realizon me sukses të lartë operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmetit shkatërrimtar.

“Ekipet tona gjatë operacionit kanë hasur në viktima në objektet e kolapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë”, ka deklaruar Mehaj në Facebook.

Ndryshe, dy ditë më parë specialistët e kërkim-shpëtimit urban dhe ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, kanë zbarkuar në Republikën e Turqisë. Ata, sipas ministrit Mehaj,  me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim -shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës.

Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 11.700 persona. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.


MË SHUME NGA Lajme