Tërmeti në Turqi ka prekur rreth 15 milionë njerëz
J.Musliu/RTKlive
Situata në Turqi pas tërmetit të së hënës, mbetet e rëndë. Mijëra njerëz kanë humbur jetën, edhe më shumë të tjerë janë lënduar dhe shumë më shumë kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Në magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK, në linjë të drejtpërdrejtë nga Turqia ka folur Rijas Ul Khaliq, gazetar i agjencisë së lajmeve “Anadolu”.
Ai tha se dy tërmetet e asaj dite, kanë goditur shumë fort dhe pasojat janë shumë të mëdha.
Khaliq tha se nga tërmetet janë goditur 10 provinca, me një shtrirje territoriale prej 200 kilometrash, raporton RTK.
Ai tha se 9 mijë persona kanë humbur jetën e 52 mijë janë lënduar ose plagosur dhe krejt këto, pa llogaritur edhe të vdekurit e plagosurit në pjesën e Sirisë.
Gazetari turk u shpreh se 6 mijë e 400 ndërtesa janë rrënuar ose janë dëmtuar ndërsa nga 13 deri në 15 milion janë prekur në mënyra të ndyshme.
Ai tha se shumë shtete janë duke ndihmuar e mes tyre edhe Kosova.
Gazetari turk tha se bazuar nga seizmologët, tërmeti ka qenë shumë i fortë sepse thellësia ka qenë vetëm 18 km.
Sipas tij, ky tërmet ka goditur përveç Turqisë, edhe Sirinë e Libanin.























