Ministri Murati: Koeficienti prej 105 euro, përbrenda kufijve buxhetor
J.Musliu/RTKlive
(Plotësuar: 16:25) Vazhdon debati për shqyrtimin e Projektligjit për ndarje buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Ministri Murati prezantoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarje buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, i cili përmban vlerën e koeficientit, duke përmbyllur, kësisoj, ciklin e miratur me ligjin e pagave e që është përcaktuar në shumën prej 105 eurove, që është përbrenda kufijve buxhetor
“Marrë parasysh rëndësinë dhe nevojën e këtij projektligji, si dhe procesin në të cilin jemi si Qeveri në përgatitjen e listave të pagave ju ftoj që ta miratoni këtë projektligj", tha, mes tjerash, ministri Murati
Lidhur me këtë propozim të ministrit Murati foli edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, i cili mbështeti në parim propozimin e ministrit Murati.
Shala: Vlera e koeficientit të jetë 120 euro!
Por kundër propozimit të ministrit Murati dhe te deputetit Muja ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se nuk kemi ligjin për pagën minimale, ndërkohë që koeficienti minimal nuk i përmbush as premtimet e draftligjit për pagën minimale, që është 264 euro.
“Kemi një shkarje të madhe institucionale, ku, për shkak të lojërave të tilla, ne po i mashtrojmë qytetarët", shtoi deputeti Shala.
Tutje, deputeti Shala duke kritikuar qasjen e qeverisë ndaj këtij problemi ai shtroi pyetjen se sa do të jetë paga minimale.
Depueti Shala propozoi që baza e këtij koeficienti të jetë 120 euro, ngase sipas tij, ka bazë ekonomike.
(Plotësuar: 14:55)Votohet Ligji për Byronë Shtetërore për verifikim e konfiskim të pasurisë
Me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
E vetmja që e mbështeti këtë ligj nga opozita ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse partitë e tjera nuk kanë marrë pjesë në votim.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se byroja të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.
Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtar publik, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilitdo zyrtari.
Gjithashtu, gjatë kësaj seance, përveç diskutimeve për dialogun, Asociacionin dhe çështje të tjera, Kuvendi deri më tani ka votuar edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe zhvendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.
Në lidhje me këtë projektligj, 61 vota ishin pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Kurti fton opozitën t’i thotë ‘Jo’ Escobarit ashtu siç i thonë atij
(Plotësuar: Ora 13:17) Kuvendi i Kosovës po mban seancën plenare.Debati në Kuvendin e Kosovës, vazhdon të zhvillohet me tone të forta mes pozitës e opozitës. Shkas është marrveshja e mundshme Kosovë-Serbi si dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.
Duke ironizuar me opozitën, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ata me aq zell se i thonë atij që mos të pranojë marrëveshjen finale pa njohje reciproke, këtë duhet t’ia thonë edhe përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Qysh tash ju inkurajon, që ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, ashtu siç m'i thoni mua - aman thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua”, tha Kurti në fjalën e tij, duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të kryetarëve të PDK-së, LDK e AAK-së.
“Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë sesa kjo”.
Sipas tij, propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje.
“I kam pyetur emisarët se a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm”, deklaroi Kurti, duke shtuar se -“sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre”.
Kryeministri rikonfirmoi se këtë marrëveshje e ka pranuar si platformë solide për të ecur përpara.
“Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian.
Ai i ftoi liderët opozitarë ta lexojnë planin, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.
Abdixhiku:Askush në Kuvend s`di se çfarë ka pranuar kryeministri Kurti
M.Miftari/ RTKlive
(E plotësuar, ora 11:35) Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa foli për takimin e tij me kryeministrin Kurti ne gushtin e vitit të kaluar, ku, së bashku me kryetarin Haradinaj, kishin marrë një dokument në të cilin bëhej fjalë për marrëveshjen finale në mes të Kosovës e Serbisë.
Sipas tij, ky dokument kishte 6 kapituj, në të cilin flitej, mes tjerash, për elementet e kornizës së përgjithshme për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në normalizimin e marrëdhënieve mes të Kosovës e Serbisë.
Më tej, Abdixhiku sqaroi përmbajtjen në secilin kapitull, ku në kapitullin e parë flitej për njohjen, në qendër të marrëveshjes finale; në kapitullin e dytë flitej për të kaluarën për dëmet e luftës që Serbia kishte shkaktuar Kosovës e që duhej t’i kompensonte; për të zhdukurit dhe të zhvendosurit; në kapitullin e katërt flitej për reciprocitet të plotë në mes të shqiptarëve në Luginë dhe serbëve në Kosovë; në kapitullin e pestë flitej për rikonsiderimin e të gjithave marrëveshjeve paraprake.
Tutje, Abdixhiku foli për një takim tjetër të radhës në nëntor të vitit të kaluar, ku në takim, së bashku me liderët tjerë partiakë, kishte marrë nga kryeministri Kurti një letër dyfaqësh që ishte i njohur si “Plani franko-gjerman”, që nuk përmbante marrëveshjen finale e ligjërisht të obligueshme.
“As unë, as LDK e as një parti tjetër në Kuvend e asnjë deputet i Kuvendit nuk është në dijeni të përmbajtjes së draftit përfundimtar të dokumentit në fjalë, sepse as unë e asnjë nga deputetët Kuvendit nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe nuk ka qenë i informuar mbi këtë proces dhe përfundimin e tij”, deklaroi Abdixhiku.
Së këndejmi, Abdixhiku kujtoi cicërimen e datës 6 shkurt, përmes të cilës u kuptua se kryeministri Kurti ka pranuar në parim propozimin në fjalë.
“Si Kuvend, si opozitë e pozitë, të gjithë pa dallim, si shoqëri, askush në këtë Kuvend, nuk e di se çfarë ka pranuar kryeministri i Kosovës”, shtoi më tej kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Afet Bela/ RTKlive
(E plotësuar 10:55) Krasniqi, Kurti: Për interesa të Kosovës, ke mbështetjen e PDK-së
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se në raport me temën e dialogut, Kurti duhet të jetë transparent. Ai ka kritikuar Kurtin për papërgjegjësi karshi rastit të ambasadorit Martin Berishaj.
Sipas tij dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, bëhu serioz dhe transparent. Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë guximi dhe transparencë në lidhje me procesin e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se për t’i arritur interesat e Republikës së Kosovës nga ky proces, Kurti s’ka nevojë të jetë as mistik, as hero, as tradhtar, por thjeshtë një kryeministër i përgjegjshëm.
“Mbështetjen e ke, qëllimet janë publike, rezultatet i presim. Prandaj, të ftoj që të bëhesh serioz, ta kuptosh përgjegjësinë që ke dhe ta ushtrosh atë përgjegjësi në mënyrë transparente, sepse qytetarët e Kosovës nuk janë të painteresuar, ashtu siç po i konsideron ti ndonjëherë”, tha kryetari i PDK-së.
Sipas tij e vetmja gjë që nuk është as fisnike e as pragmatike, është mungesa e guximit për ta ushtruar përgjegjësinë që të takon, kur e mashtron vetveten se do t’i arrish qëllimet me sukses, duke u fshehur pas parimeve, përderisa vepron sipas rrethanave.
“Fatkeqësisht, kjo është rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti, me mënyrën se si i është qasur qeverisjes në përgjithësi, ndërsa në veçanti zhvillimeve të fundit në lidhje me Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, dua që t’ia bëj të qartë kryeministrit, se në raport me temën e Dialogut, nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as ta luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente”, tha Krasniqi.
Ligji i pagave, Kuvendi shqyrton Projektligjin e buxhetit të vitit 2023
Seanca e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 10:40) Kuvendi i Kosovës, ka filluar seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, sot do të mbajë seancë plenare, në të cilën në rend dite janë votimi i disa projektligjeve dhe disa raporteve.
Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.
Pas këtyre pikave, do të jenë votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021, votimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë, votimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton RTKlive.
Po ashtu Kuvendi do të bëj shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore, shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike dhe Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).























