Szunyog i gëzohet ratifikimit të shpejtë të marrëveshjeve në Kuvend
E. Hoti/ RTKlive
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se gëzohet që po afrohet ratifikimi i marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në një postim në Twiter, Szunyog shkruan se shpreson në një ratifikim të shpejtë të këtyre marrëveshjeve nga Kuvendi.
“Gëzohem të shohë që Kosova po i afrohet ratifikimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit për lirinë e lëvizjes dhe njohjen e kualifikimeve profesionale dhe akademike në Ballkanin Përendimor.
Pas miratimit të projektligjeve nga Qeveria, shpresoj në një ratifikim të shpejtë nga Kuvendi”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe dje në mbledhjen e Qeverisë u miratuan tri projektligje nga marrëveshja e Procesit të Berlinit.
Për ratifikim u dha dritë e gjelbër për marrëveshjet: për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, ndërsa në këtë mbledhje u miratua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.























