Funksionalizimi i Byrosë pritet të bëhet në fund të këtij viti|Video
Arlinda Sejda/RTK
Të gjithë ata që kanë pasuri mbi 25 mijë euro e të cilën nuk mund të arrijnë ta justifikojnë, do të mund të përballen me konfiskim të saj në rast të verifikimit i cili parashihet të bëhet pas funksionalizimit të Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Vendimi për themelimin e saj kaloi dje në Kuvendin e Kosovës derisa parashihet që të funksionalizohet në fund të këtij viti. Kjo nëse gjithçka shkon sipas afateve kohore, megjithëse partia opozitare PDK ka paralajmëruar se do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese.
Fundi i këtij viti mund ta gjejë të funksionalizuar byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Kjo pasi një ditë më parë, në Kuvend iu dha mbështetja projektligjit për krijimin e kësaj byroje. Nga sponsorizuesi i këtij ligji, Ministria e Drejtësisë, ky po shihet si hap i rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas miratimit të tij, tashmë do të nisin edhe hapat konkretë për funksionalizimin e kësaj zyre. Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Drejtësisë, kanë treguar për RTK-në për hapat që do të ndërmerren deri te funksionalizimi i kësaj Byroje.
Fillimisht pritet hyrja në fuqi e ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, më pas fillon edhe funksionalizimi i saj nëpër faza. Në fillim është faza e konstituimit të Komisionit Mbikëqyrës që ka rol në rekrutimin e drejtorit të përgjithshëm dhe krijimin e legjislacionit sekondar për Byronë dhe funksionimin e saj. Pas zgjedhjes së drejtorit, nis edhe faza e rekrutimit të stafit të Byrosë, që sipas ligjit nuk mund të zgjasë më shumë se 6 muaj. Pas kompletimit të infrastrukturës ligjore dhe kapaciteteve njerëzore, Byroja do të fillojë funksionimin dhe trajtimin e lëndëve të para.
Në anën tjetër, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se bazuar në këtë projektligj, shuma që duhet të justifikohet është mbi 25 mijë euro. Ai shpreson që janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias.
"Duam të shpresojmë që rekrutimi i drejtorit të agjencisë e zyrtarëve do të jetë në mënyrë transparente, do t'i mundësohet shoqërisë civile që t’i monitorojë këto procese që kushdo që të caktohet në këto pozita të jetë një person i cili e fiton besimin e publikut dhe t'i ushtrojë kompetencat në bazë të ligjit”, ka theksuar Miftaraj për RTK-në.
Megjithatë, partia opozitare PDK ka paralajmëruar se projektligjin e miratuar në Kuvend do ta kontestojë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tyre, ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën.























