Mujanoviq: Asociacioni dejtonizon Kosovën
M.Miftari/RTKLive
Kosova duhet ta pranojë marrëveshjen vetëm nëse ka njohje reciproke.
Kështu deklaroi Jasmin Mujanoviq, politolog dhe specialist i politikave të Evropës Juglindore dhe çështjeve ndërkombëtare, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.
Ai mes tjerash theksoi se nuk ka vullnet politik në Beograd për të zgjidhur çështjet me Kosovën, pra ta themi se nga Beogradi nuk ka vullnet për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj.
Tërësia e përpjekjeve të Serbisë në dekadën e fundit, sipas tij, ka qenë që duke shtyrë kohën, duke nënçmuar, ta rrënojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës në çfarëdo mënyre të mundshme.
Ndërkaq lidhur me “planin franko-gjerman”, Mujanoviqi shtoi se çdo lloj marrëveshje apo çfarëdo lloj plani ndërmjet marrëdhënieve në mes Serbisë e Kosovës, duhet të bazohet mbi njohjen e ndërsjellë, por edhe në vlerat demokratike- liberale të Evropës.
Ndërkaq, lidhur me nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, Mujanoviq theksoi se nuk duhet themeluar, ngase kjo merr kahen e dejtonizimit të Republikës së Kosovës.
“Dejtoni është model i dështuar i qeverisjes, si dhe i zgjidhjes së konfliktit”, theksoi më tej Mujannoviq.
Ndërsa lidhur me sanksionet e ndërkombëtarëve drejtuar kundrejt palës kosovare, Mujanoviq shtoi se nëse janë si shtytje politike është një mesazh që tregon se disa nga pala ndërkombëtare nuk janë ndërmjetës të duhur.























