Dita Botërore e Radios, rikthim në të kaluarën dhe mesazhet për të ardhmen
Bardha Shkreli/Radio Kosova
13 shkurti është shpallur nga UNESCO si dita ndërkombëtare e Radios, me qëllim që të kujtohet fuqia e radios në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes. Historia e Radios është ajo që arrin të përshkruajë secilin nga hapat më të rëndësishëm të komunikimit të quajtur Radio që nga zbulimi i të ashtuquajturave valë radioje e deri më sot.
“Jam njeri i Radio-s 100%, kam qenë me fat që në fëmijëri kam pas radio në shtëpi ,sepse radiot kanë qenë të rralla në vitet e 50-ta .Në vitin 69 kur kam ardhur në Prishtinë me studime, më shumë kam qëndruar në Radio Prishtinë, më shumë rrija në redaksi të muzikës sesa në Amfiteatër të Fakultetit Teknik, demek me u ba inxhinier, i kam humb dy vite andej, por kam fituar 2 vite këtu”, deklaroi Feim Kurhasani.
Gazetarët shpalosin ndjenjat dhe dashurinë për punën në Ditën e Radios
Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të gazetarit Feim Kurhasanit, i cili rreth 20 vite më vonë do bëhej pjesë e Radio Prishtinës, fillimisht si bashkëpunëtor i jashtëm, në emisionin “Kanga, Gazi, Dashuria”.
Zhvillimi radio-stacioneve në Kosovë ka pasur disa faza. Transmetimet e para radiofonike lidhen me periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Një radiostacion i vogël që ka transmetuar në nëntor të vitit 1942 fillimisht nga Prishtina dhe pastaj nga Prizreni, emërtohej Radio Kosova.
Të moshuarit sot, kujtojnë se altoparlantët e saj ishin të vendosur në sheshin e qytetit dhe radio transmetonte kumtesat ushtarake, vendime të prefektit, por edhe muzikë. Muzikë italiane transmetohej me shumë sesa shqipe, pasi në atë kohë këngët shqipe të regjistruara ishin të pakta fare.
Gjatë luftës se dyte botërore pason një ndërprerje e transmetimit për të rifilluar sërish në fund të vitit 1945 me emërtimin Radio Prizreni me moderatorët Hysnije Hana dhe Mustafë Shala. Një vit më vonë radio-stacioni transferohet përsëri në Prishtinë në lokacionin ku ishte në vitin 1942, por tani emërtohej Radio Prishtina.
Radio Prishtina u shndërrua në institucion të rëndësishëm shoqëroro – kulturor
Sidoqoftë, zhvillimi i hovshëm i radios ka filluar pas të 70-ve, Radio Prishtina, arriti të shndërrohej në radio, por edhe institucion të rëndësishëm shoqëroro – kulturor. Pikërisht në këto vite, Radio kaloi në objektin e ri që për njerëzit e saj paraqiste një moment tejet të veçantë, profesional dhe personal. Kurhasani kujton ende 3 majin e vitit 1973.
“Gjatë festës 1 dhe 2 maj që nuk është punuar është bartë kartoteka, arkivi, pajisjet. Pajisjet ishin të reja, të gjitha të reja të Grunding-ut ka qenë fjala e fundit. Një objekt funksional, i destinuar vetëm për radio, plus salla e muzikës për produksion për incizime të ndryshme,d.m.th ajo ka qenë “satelit”. Atë botë për ne prej një niveli në nivel tjetër teknologjik, studio e muzikës ishte 24 kanalshe –fjala e fundit e teknikës që nuk kishte askush në Jugosllavi”, deklaroi ai.
Kurhasani në dhjetor të atij viti do kalonte në redaksinë e rinisë, ishte koha kur po bëheshin përgatitjet për të hapur programin e dytë të Radio Prishtinës. Mediet ishin të pakta, opinioni i etur për informacion e përgjegjësia e madhe, thotë Kurhasani.
Me kushtetutën e re jugosllave të vitit 1974, pozita e Kosovës avancohet dhe këtu fillon faza e dytë e zhvillimit të radiove në Kosovë që zgjatë deri në vitin 1990. Në këtë kohë, hapet programi i dytë i Radio Prishtinës dhe po ashtu 6 qendrat komunale të Kosovës bëhen me radio lokale.
Në vitin 1975 Radio Prishtina merr dy çmime në ish-Jugosllavi
Zhvillimi i hovshëm i radiove prodhoi edhe emra të njohur të gazetarisë sonë. Radio Prishtina përveç ndikimit që pati si medium, solli edhe shpërblime të shumta nga festivalet e radiove në Jugosllavi. Në vitin 1975 mori dy çmime: Çmimi kryesor i takoi emisionit “Eureka” të autorit Hys Shkreli.
Disa vite më vonë, aty në vitin 1980, me një zë të kristaltë, të këndshëm e të thellë, interesit të opinionit për informacione nga Radio Prishtina do t’i drejtohej edhe gazetari Zenel Buzuku.
“Njerëzit në një far forme lidhen me zërin tënd me të gjithë atë që ua transmeton nëpërmjet etërit. Ka pasur dëgjues të pasionuar pas radios, pas programit të dytë ne veçanti sepse programi i dytë ka pasur një skemë programore jashtëzakonisht të larmishme . Aty ke gjetur nga gjërat më të thjeshta deri te komunikimet direkt me dëgjuesit. Lidhja me dëgjuesin dhe roli i radios përveç informimit edhe në edukimin e masës ka qenë i pazëvendësueshëm. Nuk besoj që sot ka “nëse mund të abuzoj me fjalën idhuj” idhuj të tillë që dalin në radio dhe bëhen për dikë një lloj miti - nëse mund të them”, deklaroi Buzuku.
Ndonëse gazetari Zenel Buzuku ka vite që punon në televizion ai nuk e krahason dot me kënaqësinë që i jepte radio.
“Aty kam përfituar të gjitha të mirat e të bukurat e asaj radioje, sharmi i së cilës më mungon sot. D.m.th prej momentit kur kam filluar, mbase edhe më herët kur e kam pas si pasion radion, si dashuri të veçantë – deri më sot për mua është e njëjta ndjenjë”, tha Buzuku.
Buzuku shpjegon se përveç zërit radiofonik, kriteret që kërkoheshin për një të punësuar në radio ishin të shumta. Teknikisht puna në radio ishte edhe më e vështirë. Myrvete Bunjaku e punësuar në atë kohë si teknike zëri shpjegon se si punohej.
“Kanë qenë 4 magnetofona , në çdo magnetofon është dashur me e vu nga një pikë muzikore. Me shirita kemi ba edhe incizimet, incizimet për emisione dhe raporte të lajmeve. Një gabim p.sh me u ba është dashur me u pre shiriti me u vendos ngjitësi (ngjitësi ka qenë apostafat për shirita) me dit ku po e prenë, ku po e kap. Shumë stresuese ka qenë, brenda 8 orëve me punu pa u ndal ke mujt vetëm dy emisione mi punu, po them dy emisione 1 orësh”, tha Bunjaku.
Në vitin 1990 mbyllet Radio Prishtina, gazetarët kalojnë në korrespodentë
Situata politike në Kosovë, reflektoi edhe mbi radio-n. Radiot u mbyllën në vitin 1990. Por, në këtë periudhë u hapën korrespodencat e para nga Kosova. Shumë gazetarë punuan për emisionet e Radio Zagrebit, Radio DW, Radio Evropa e Lire, BBC në shqip etj. Nga kjo distancë kohore, gazetarët të cilët punuan në atë kohë, punën e tyre e shohin si kontribut për vendin apo kontribut kombëtar.
“Radio më zgjodhi mua! Në vitin 92 Radio shtetërore gjermane Deutsche Welle hapi korrespodenturë dhe kërkoi korrespodentë këtu. Më thirrën dhe bëmë një test, unë bëra një raport të shkurtër atë ditë dhe fillova punën në radio DW. Me kalimin e kohës situata në Kosovë, përshkallëzohej edhe puna në radio DW filloj të rritej”, deklaroi Saraqini.
Është kjo Valentina Saraqini njëra prej gazetareve më të zonjat e më të guximshme të kohës. Në atë periudhë të rëndë, në fund të 90-tave, kohë kjo kur nis transmetimin edhe Radio Kosova e Lirë, Saraqini raportoi edhe nga zonat e luftës. Zëri i saj, edhe sot njihet nga qytetarët.
“Një pjesë e njerëzve sidomos gjeneratat e reja që nuk më njohin vizuelisht më thonë “Ne s’kemi guxuar të flasim kur ke raportuar ti” . Të tjerët edhe sot e kësaj dite me japin mirënjohje. Dikujt i kam dhënë lajm të mirë por ka edhe raste kur më tregojnë se nga raportimet e mija kanë marr lajme të hidhura, për familjen. Më kanë ndodhur rasti, isha në Bon, kamerierja që i kërkova një kafe, më ka njohur zërin, ajo ka qëlluar të jetë shqiptare, më ka përqafuar, është mallëngjyer, sepse asaj kohe ajo ka marr një lajm të keq për Kosovën”, tha ajo.
Çlirimi i Kosovës, rikthimi i Radio Kosovës
Çlirimi i Kosovës shënoi etapën e re në zhvillimin e mediave, përfshirë edhe të radios. Në vitet e para të pasluftës transmetonin me dhjetëra radio stacione. Nga objekti i Radio Prishtinës filloi transmetimin Radio Kosova, si pjesë e transmetuesit publik, Radiotelevizionit të Kosovës. Për një kohë, në krye të radio Kosovës qëndroi gazetari Sylejman Shaqiri.
“Menjëherë pas lufte filluan shumë projekte, disa mbetën në nivelin e projekteve simpatike, kurse radio Kosova ,Radio Blue Sky dhe Radio Dukagjini avancuan në projekte serioze që edhe sot e kësaj dite funksionojnë. Ajo që e veçonte Radio Kosovën ishte insistimi që të ruhej formati i transmetuesit publik, duke pasur parasysh kujdesin e shtuar të ruajtjes të gjuhës së mirëfilltë shqipe dhe duke ruajtur me fanatizëm edhe platformën muzikore duke mos lejuar depërtimin e pseudo-vlerave dhe anti -vlerave”, deklaroi mes tjerash Shaqiri.
Pjesë e transmetuesit publik, në vitin 2000 u bë edhe radio Blue Sky, që fillimisht kishte nisur transmetimet nga ndërtesa ku ishte vendosur administrata e OKB-së në Kosovë. Flora Durmishi ka qenë zëri i parë i kësaj radioje që iu është drejtuar dëgjuesve. Ajo e konsideron veten një lloj mamie që ka ndihmuar në lindjen e Radio-s Blue Sky.
“Radio Blue Sky ka qenë një radio alternative dhe ka qenë modeli i gazetarisë së re që filloj në 99-ën. E kujtoi atë moment me çfarë emocioni kam hyrë në studio dhe thosha nuk do të arrijë ta përballoj 5 minuta lajme, por e përballova. E veçanta ishte se fillova të lexoja me zë të lartë, kur shkova në shtëpi më thanë fëmijët “mami, pse bërtisje”, ndërsa burri më tha: “po t’i po krijon panik, shumë me emocion lexove” thash nuk e di, mendoja që s’po më dëgjonin mjaftueshëm”, tha Drmishi.
Durmishi, nuk është larguar asnjëherë nga radio. Ajo sot vazhdon të jetë në krye të këtij institucioni
“Konfidencialitetin që ta jep ajo dhomë e vogël ku je vetëm ti dhe mikrofoni nuk ta jep askush tjetër”, deklaroi ajo.
Me kalimin e viteve, zhvillimi i radios edhe në Kosovë ka pësuar ndryshime, për shkak të ndikimit që kanë mbi të zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet në tregun e mediave. Por, radio vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e peizazhit mediatik. Gazetarja e radios dhe studiuesja e mediave, Gjylie Rexha thotë se zhvillimi i teknologjive dhe platformave të reja për shpërndarjen e përmbajtjes nuk e zbehin rëndësinë e radios, përkundrazi i ndihmojnë asaj të arrijë me lehtësi audiencat.
Radio, dashuria ime e parë
“Interneti i ka ndihmuar radios dhe i ndihmon që ajo të shndërrohet në një media multi-platformë e cila arrin që në mënyra të ndryshme dhe në formate të ndryshme ta shumëfishoj përmbajtjen e saj. Fuqia e radios në këtë periudhë lidhet me zhvillimin e platformave të reja për të depërtuar të audiencat, kjo do të thotë për ofrimin e materialeve në versionet, tekst, video, transmetime të drejtpërdrejta, podcast, ku lexuesit apo dëgjuesit apo të gjithë qytetarët do të mund t’i konsumojnë ato sa herë që të duan”, tha Rexha.
Sipas UNESKO-s, radio vazhdon të jetë media më depërtuese, më reaguese dhe në raste edhe e vetmja që mund të arrijë edhe te audiencat që në raste specifike nuk mund t’i arrijnë mediat tjera. Për njerëzit e radios ndërkaq, ajo mbetet ashtu siç e përshkruan gazetari Feim Kurhasani:
“E kam thellë në shpirtin tim, është dashuria e parë dhe e fundit”, deklaroi mes tjerash Kurhasani.























