PSG do ta vendosë Neymarin në listën e transferimeve
B. H. / RTKlive
PSG luan të martën ndeshjen kyçe të sezonit. Në ndeshjen e parë të 1/8 në Champions League, Bayern Munich do të vizitojë Parisin.
I gjithë sezoni i klubit nga “Parku i Princave” varet nga rezultati i kësaj ndeshjeje. Sheikët parisienë kanë investuar miliarda euro në klub për të pushtuar Evropën, por ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Kylian Mbappe me siguri nuk do të luajë kundër bavarezëve, derisa në dyshim është edhe Lionel Messi. Javën e kaluar parisienët u eliminuan nga Olympique Marseille në kupë, kurse në fundjavë pësuan humbje nga Monaco, që ishte e treta në këtë edicion.
Por një problem edhe më i madh se rezultatet është atmosfera në dhomën e zhveshjes, të cilën Neymar e përkeqëson dita-ditës. Pas humbjes nga Monaco, braziliani bëri një rrëmujë të vërtetë në dhomën e zhveshjes pasi fillimisht debatoi me shokët e tij dhe më pas sulmoi drejtorin sportiv Luis Campos. Ky nuk është shpërthimi i parë i tillë nga Neymar dhe ai ka bërë gjeste të ngjashme edhe më parë. Klubi dinte ta falte në raste të tilla, por duket se tani i ka ardhur fundi.
“Le Parisien” njoftoi sot se klubi ka vendosur që është më mirë që Neymar të largohet nga Parisi, sepse ai sjell trazira të panevojshme në skuadër. Sipas kësaj gazete, PSG do ta vendosë atë në listën e transferimeve në verë.
Neymar mbërriti te PSG si një përforcim i madh gati gjashtë vite më parë nga Barcelona për një rekord prej 222 milionë eurosh.
Megjithatë, pyetja është nëse PSG do të mund ta shesë lojtarin që ka një kontratë të fortë. Çmimi për të ndoshta nuk do të jetë problem për klubet e pasura, por problem i madh është paga e tij prej rreth 30 milionë euro në vit.























