Qeveria mbështet 19 kuzhina popullore me 1.2 milion euro
M.Shefkiu/RTKlive
Qeveria e Kosovës në kuadër të masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike ka mbështetur 19 organizata humanitare me 1.2 milion euro, për ofrimin e shujtave falas për familjet më në nevojë. Ky vendim i qeverisë, respektivisht i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve bëhet për të ngritur mirëqenien sociale në vend, ndërsa nënshkruhet për herë të tretë radhazi.
“Kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë”, deklaroi kryeministri Albin Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati në anën tjetër vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me organizatat humanitare, duke thënë se “masa 3.4 fillimisht është pilotuar për të parë nëse organizatat humanitare kanë nevojë për mbështetje nga shteti, dhe si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm që kemi pasur deri më tani, jemi të lumtur që edhe këtë vit po vazhdojmë që përmes jush të zgjasim dorën e shtetit te familjet që kanë më shumë nevojë”.
Sipas njoftimit të Qeverisë, deri më tani, organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore, ndërkaq në pranverë të vitit të kaluar, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e politikave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.























