Konjufca: Duhet koordinim edhe më i fortë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë
BKT
Foto: Kuvendi i Kosovës
Lajme

Konjufca: Duhet koordinim edhe më i fortë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

M.Sh/RTKlive

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë hapësirat e përbashkëta për të zhvilluar edhe më shumë raportet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, sidomos tash kur ekzistojnë, siç tha ai, një sërë marrëveshjesh midis dy qeverive.

Kryekuvendari Konjufca këto deklarata i bëri gjatë një takimi me një delegacion nga Parlamenti i Shqipërisë, të përbërë nga anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian.

Në takim i diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërtuar midis tyre, ndërsa u vlerësua se mbi këtë bazë mund të avancohen më tej ato, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit.

Kryetari Konjufca falënderoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare, si në afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të procesit të integrimit evropian, thuhet në njoftim.

Duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku dhe anëtarë të tjerë të delegacionit, vlerësuan lart frytet e bashkëpunimit të deritashëm midis dy vendeve, duke shtruar nevojën që këtij bashkëpunimi t’i jepen impulse të reja konform rrethanave dhe mundësive të krijuara.


MË SHUME NGA Lajme