Bordi i RTK-së në Ditën Botërore të Radios: Radio Kosova prioriteti ynë
M.Sh/RTKlive
Në Ditën Botërore të Radios të shpallur nga UNESCO në vitin 2011, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës uron punëtorët e dy kanaleve të Radio Kosovës për angazhimin e tyre dhe u premton mbështetje të vazhdueshme profesionale e financiare. Bordi fton punëtorët që ta shohin institucionin ku punojnë si pjesë integrale të paqes dhe stabilitetit.
“Që nga zbulimi i saj në fund të shekullit të 19-të deri te mishërimi me teknologjinë aktuale, radio mbetet mediumi më i rëndësishëm në historinë e mediave, veçanërisht atyre elektronike. Radio Kosova 1 dhe 2 do të jetë prioritet në punën e Bordit të RTK-së”, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së lëshuar për media .
Bordi i RTK-së rikujton se me një investim modest gjatë vitit 2022, është rritur fuqia transmetuese e Radio Kosova 1 dhe 2. Gjithashtu, sipas Bordit, po investohet në disa pajisje që sinjali i radios të shtrihet fuqishëm edhe në pjesë tjera të vendit.
“Ndërsa ndryshimet në nivelin menaxherial kanë bërë që përmbajtja në program të pasurohet dukshëm. Pavarësisht sfidave që vijnë edhe nga zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, Bordi i RTK-së angazhohet që mënyra se si qytetarët lidhen me Radio Kosova 1 dhe 2 të zgjerohet në një version të avancuar në internet, në mundësinë e dëgjimit portativ të saj si dhe aplikimin e podkasteve si mënyrë praktike për tu afruar me dëgjuesit”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas Bordit, tema për edicionin e 12-të të Ditës Botërore të Radios sipas UNESCO-s është “Radio dhe Paqja”, andaj “në emër të Bordit inkurajojmë punonjësit e të dy radiove që sikurse UNESCO, ta shohin institucionin ku punojnë si pjesë integrale të paqes dhe stabilitetit”. 























