Më 28 nëntor, shtatorja e Adem Jasharit vendoset në Prishtinë? |Video
J.Musliu/RTKlive
Shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, pritet të vendoset në Prishtinë, në fund të këtij viti.
Kështu së paku ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me një video të publikuar në rrjetet sociale.
Ai ka qenë më i saktë duke precizuar se kjo shtatore do të vendoset më 28 nëntor të këtij viti.
Kjo datë përkon me Ditën Flamurit, ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen për herë të parë publikisht të UÇK-së në Llaushë të Skenderajt në vitin 1997.
“Bac, mezi po presim”, thotë Krasniqi në këtë video, e ku pranë tij shihet edhe Leutrim Retkoceri, i cili është kreu i asamblistëve të këtij subjekti politik në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Deri më tani në Prishtinë, janë vendosur shumë shtatore e buste, por asnjë prej tyre nuk është i Adem Jasharit, përkundër faktit se në kryeqytet, aty ku ndodhet “Tre këndëshi”, ai shesh është emëruar “Sheshi Adem Jashari”.
Nga komuna e Prishtinës nuk kanë njoftuar për vendosjen e kësaj shtatorjeje.























