NATO e konfirmon rritjen e prezencës në Kosovë
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

NATO e konfirmon rritjen e prezencës në Kosovë

Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive

Javier Colomina, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë. i cili vizitoi Beogradin të hënën, ka dhënë një intervistë për European Western Balkans, transmeton RTKlive.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe nëse ka ndikuar qëndrimi neutral i Serbisë në marrëdhëniet Serbi-NATO, Colomina ka thënë se Aleanca Veri-Atlantike ka  partneritet të gjatë me Serbinë, që nga viti 2006.

“Ky partneritet vazhdon të evoluojë sipas meritës, në respekt të plotë të politikës së deklaruar të Serbisë për neutralitet ushtarak dhe me një shkallë të mirë të dialogut politik dhe bashkëpunimit praktik. Ky është prizmi përmes të cilit NATO do të vazhdojë të trajtojë marrëdhëniet e saj me Beogradin”, deklaroi ai.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi qenë vazhdimisht të qartë kur bëhet fjalë për Rusinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Colomina.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, fatkeqësisht, NATO sheh rregullisht Rusinë duke bërë të kundërtën.

“Ne kemi parë hakim, dezinformim, frikësim dhe aktivitete të tjera destabilizuese” tha ai, duke shtuar se “NATO respekton  plotësisht të drejtën sovrane të çdo kombi për të zgjedhur marrëveshjet e veta që dëshiron,  politike dhe të sigurisë”.

I pyetur se si e shikon situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, duke pasur parasysh vakumin e sigurisë të krijuar nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe nëse ka KFOR-i kapacitet për të garantuar sigurinë në veri, zyrtari i lartë i Aleancës Veri-Atlantike ka deklaruar se misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është demonstrimi më i prekshëm i përkushtimit afatgjatë të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Misioni ynë i KFOR-it është plotësisht i aftë të vazhdojë zbatimin e mandatit të tij në OKB, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha ai, transmeton RTKlive.

Ai tha se KFOR-i kontribuon për sigurinë në Kosovë me më shumë se 3700 trupa nga nga 27 vende – duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

“Trupat tona të KFOR-it janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes – në përputhje me mandatin”.

Sipas tij, që nga tetori i kaluar, KFOR-i ka përforcuar praninë e tij në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe me trupa dhe patrullime shtesë.

“Pra, përkushtimi ynë është i palëkundur. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të Organizatave të Sigurisë së Kosovës, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Zyrtari i lartë i NATO-s tha se ajo që tani është e rëndësishme është që të gjitha palët të demonstrojnë një përkushtim të fortë dhe vullnet politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme politike përmes dialogut.

“Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin”.

Ai deklaroi se NATO mbështet plotësisht përpjekjet e vazhdueshme në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “Këtë mesazh ua kam përcjellë të gjithë bashkëbiseduesve të mi në Beograd”.

Megjithatë, ai u pyet edhe për faktin se në vitet e kaluara, ka pasur shumë spekulime për zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it.

“Përkushtimi ynë është i palëkundur. Çdo ndryshim në qëndrimin tonë të forcës mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, tha Javier Colomina, duke shtuar se “ato i nënshtrohen një vendimi nga Këshilli i Atlantikut të Veriut - organi vendimmarrës i NATO-s - me votim unanim”.

Marrë me shkurtime nga EWB. Titulli në origjinal: Colomina: Koncepti strategjik i NATO-s ripohon rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor


MË SHUME NGA Lajme