Për lirinë tonë, “Ato gdhëndin dhimbjen”
BKT
Foto: Jeton Musliu/RTKlive
Kulturë

Për lirinë tonë, “Ato gdhëndin dhimbjen”

Jeton Musliu/RTKlive

Alketa Gashi Fazliu përuron trilogjinë "Ato gdhendin dhimbjen" , në të cilën përfshihen rrëfimet e 15 nënave, bijtë e të cilave ranë dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë.

U mblodhën të gjithë. Aty ishin, ata që luftën e fundit e përjetuan. Por, aty ishin edhe ata që për luftën veç kanë dëgjuar.

Aty ishin edhe ata që lirinë e kërkuan me armë, por që tani e jetojnë si politikanë. Aty ishin edhe ata që për çmimin e lartë të lirisë, vetëm u është treguar.

Aty ishin të gjithë, të rinj, të moshuar, profesorë, akademikë, gazetarë, publicistë, shkrimtarë e poetë. Por asnjë prej tyre, nuk ishte aq i rëndësishëm.

Prezenca e të gjithëve ishte fare e imët, në krahasim me madhështinë e atyre që dhimbjen e madhe të rënies dëshmorë të fëmijëve të tyre vazhdojnë ta “gdhëndin”.

Këto janë 15 nëna, që këtij vendi i falën copëzat e shpirtit,  fëmijët e tyre që ranë dëshmorë.

E këto nëna, për vete morën veç dhimbjen. E shtrënguan fort dhe me të, vazhdojnë të jetojnë, deri në frymën e fundit. E kur kjo frymë të ndalojë, bashkë me to, do të varroset edhe dhimbja.

Por që kjo dhimbje e fortë, që nuk shterron kurrë së luftuari me shpirtin edhe kujtimet e këtyre nënave, për aq kohë sa janë mbi këtë tokë, të mos tretet, autorja Alketa Gashi-Fazliu, vendosi t’i përmbledhë në trilogjinë e titulluar “Ato gdhendin dhimbjen”.

“Po, ata djem e vajza kapën armët për liri, por ata i solli dikush në ketë jetë. E ato janë këto nëna”, tha autorja Gashi-Fazliu, para një auditori që mbushi sallën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me rastin e  përurimit të këtij libri.

“Kjo trilogji nuk është estetikë, është artefakt, është kujtesë, është histori”, tha ajo, mes emocionesh. “Ky libër do të jetë kujtim i Kosovës”, tha Gashi-Fazliu.Në këtë libër, janë të përmbledhura rrëfimet e 15 nënave, bijtë e të cilave ranë me armë për liri.

Rrëfimet e tyre janë të jashtëzakonshme dhe shpërfaqin edhe një herë, dhimbjen, krenarinë, vuajtjen, mallin dhe gjithçka tjetër që vetëm një nënë mund të ndjejë për bijtë e bijat që jetën dhanë për liri, e prapa këtyre nënave u lanë dhimbjen, të cilën ato vazhdojnë “ta gdhëndin”, deri kur sytë e tyre të mbyllën përgjithmonë.Në këtë trilogji janë përfshirë rrëfimet e nënave:

Xhemile Haxhiu-80 vjeç, nënë e dëshmorit Naim Haxhiu,

Velime Kaçiku-77 vjeç, nënë e dëshmorit Ahmet Kaçiku,

Shahe Zejnullahu-88 vjeç, nënë e dëshmorit Miftar Zejnullahu,

Safete Nimonaj-62 vjeç, nënë e dëshmorit Luan Nimonaj,

Naxhije Dibrani-64 vjeç, nënë e dëshmorit Avni Dibrani,

Naze Shala-67 vjeç, nënë e dëshmores Luljeta Shala,

Halime Shala-72 vjeç, nënë e dëshmorit Agim Shala,

Hate Zeneli-95 vjeç, nënë e dëshmorit Sadri Zeneli,

Fazlie Zogaj-77 vjeç, nënë e dëshmorit Habib Zogaj,

Fatime Zenuni-71 vjeçe, nënë e dëshmorit Salih Zenuni,

Elheme Saraçi-73 vjeç, nënë e dëshmorit Avni Saraçi,

Bute Jasiqi-65 vjeç, nënë e dëshmorëve Bujar e Besnik Jasiqi,

Azize Uka-88 vjeç, nënë e dëshmorëve Ismet e Gani Uka,

Ajete Fazliu-85 vjeç, nënë e dëshmorëve Asllan e Mehdi Fazliu,

Arife Bilalli-87 vjeç, nënë e dëshmorit Lutfi Bilalli.


MË SHUME NGA Kulturë