Qeveria ndan 10,3 milionë euro për ringjallje ekonomike
Fadil Sertolli / RTKlive
Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka zhvilluar mbledhjen e 128-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën, siç thuhet në njoftim ka miratuar pesë vendime.
Qeveria, sipas njoftimit, ka marrë vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158.
“Qeveria vlerëson nismën në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë mbështetë nismën e propozuar dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar se kjo nismë nuk krijon kosto shtesë buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu ka marrë vendim për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës.
Gjithashtu Qeveria ka marrë vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike.
Po ashtu edhe vendimin për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës.
Dhe në pikën e fundit qeveria ka marrë vendimin për ndarjen e 10,300,000.00 euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.