Osmani: Republika e Kosovës është e përjetshme
BKT
Lajme

Osmani: Republika e Kosovës është e përjetshme

RTKlive

Me rastin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot në Prishtinë kanë parakaluar njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Më këtë rast Presidentja Vjosa Osmani, tha se në 15-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, Republikës së Kosovës, kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e të gjithë atyre që luftuan trimërisht e ranë heroikisht për ta siguruar lirinë tonë dhe për ta bërë të mundshme një Kosovë demokratike ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.

“Jo rastësisht, trupat e ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës do të parakalojnë sot në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë një pjesë të madhe të historisë sonë. Do të fillojnë nga sheshi “Ibrahim Rugova”, do të vazhdojnë nëpër sheshin “Nëna Terezë”, e do të kthehen këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit, kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën, e cila mban emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit legjendar Adem Jashari. Vajzat dhe djemtë e Ushtrisë dhe Policisë sonë, në këtë ditë feste, do të marshojnë  nga  sheshi pra  që mbanë emrin e arkitektit të shtetit të Kosovës, atit themeltar, presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, i cili edhe tani po na shikon nga atje, duke u ndier jam e bindur krenare me sukseset e shtetit tonë”, tha ajo.

Sipas saj Republika jonë mbanë vulën e sakrificës së tre mijë dëshmorëve të UÇK-së të cilët u udhëhoqën nga komandanti legjendar Adem Jashari. Liria, pavarësia dhe shteti ynë janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre!

“Kuadratet e ushtrisë, të cilat sot parakalojnë para nesh së bashku me Policinë e Kosovës janë pjesa më e ndritshme e historisë sonë të re dhe ndërlidhja e dy periudhave historike, të cilat i dhanë udhë lirisë sonë, shtetformimit dhe shtetndërtimit. Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenarë çdoherë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin në çdo cep të Republikës së Kosovës. Këta vajza e djem, janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kthyen dhe mbrojtën dinjitetin e popullit tonë”, tha ajo.

E para e vendit tha se sot një falënderim i madh shkon edhe për miqtë tanë, në radhë të parë faleminderit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatët tanë të përjetshëm, faleminderit për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe shtetet e tjera mike anekënd botës, të cilat duke mbështetur të drejtën tonë për të jetuar të lirë, u vendosën në anën e duhur të historisë.

“Forca jonë është profesionale dhe e gatshme kurdo në mbrojtjen e sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, andaj sot së bashku me ju qytetarë të nderuar do të kemi mundësinë që ushtrisë sonë e Policisë sonë t’i themi së bashku faleminderit gjatë këtij parakalimi. Si shoqëri dhe si shtet i detyrohemi ushtarëve tanë e policisë sonë si dhe sakrificës së tyre. Ata janë mishërim i vetëmohimit dhe i shërbimit. E pavarësia jonë nuk është vetëm çlirim nga robëria, por edhe përpjekje e çdoditshme e jona për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa dallim”, theksoi ajo.

Duke shtuar se Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër.

Kurti:Ritmi i ecjes së Kosovës është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve.

Kurse kryeministri Albin Kurti ka thënë se barazia dhe drejtësia janë ndër elementet që e karakterizojnë shtetin e Kosovës.

Në sheshin e Prishtinës ai ka thënë se ritmi i ecjes së Kosovës është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve.

“Në këtë 15 vjetor ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza që do parakalojnë janë bijtë e bijat e këtij vendi të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre sovranitetin, rendin dhe ligjin e Kosovës. Bekimi i ushtarakëve tanë, policëve i manifestuar me gatishmëri dhe i përkthyer në funksion u dëshmua disa herë me sfidat e sigurisë që vendi ynë u përball muajve të fundit. Policët e Kosovës treguan profesionalizëm të lartë dhe nivelin e aftësive të shtetit për t’iu përgjigjur sfidave”.

Kurti ka theksuar se festimet gjithmonë përcillen me kujtimet për të rënët për liri. “Sa herë festojmë ditëlindjen e vendit tonë gjithmonë nisemi nga kujtimet e përbashkëta për dëshmorët dhe martirët, paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe secilën jetë njerëzore që ka derdhur gjak, që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e këtij vendi”.


MË SHUME NGA Lajme