Sejdiu: Pozita dhe opozita duhet të jenë bashkë për interesat e shtetit
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Sejdiu: Pozita dhe opozita duhet të jenë bashkë për interesat e shtetit

Intervistoi: Berianë Mustafa/ Radio Kosova

Aleancat me shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të shtetndërtimit, duhet të ruhen dhe të kultivohen edhe më tutje raportet me to.

Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën ish presidenti Fatmir Sejdiu, me rastin e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së  Kosovës. Ai thotë se pozita dhe opozita duhet të janë bashkë kur bëhet fjalë për interesat e shtetit.

Radio Kosova: President Sejdiu, sot 15 vjet më parë ju keni qenë presidenti i parë i Kosovës, që e keni shpall pavarësinë e shtetit të Kosovës. Si e kujtoni atë ditë, si ishin emocionet e asaj dite?

Fatmir Sejdiu: Mendoj që është pika më e rëndësishme në përmbyllje të një procesi të madh të luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës, që ka shumë dimensione dhe mbështetet në kontributin e shumë gjeneratave. Natyrisht është dita në të cilën ne do të hyjmë në rrafsh të ri të zhvillimeve të përgjithshme për vendin. Me rëndësi është që ta kemi parasysh që është momenti më kulmor dhe historik i shqiptarëve, në këtë fakt është i Kosovës dhe si tillë është natyrisht një përmbushje e ëndrrës të cilën e kanë pasur breza të shumtë. Ndaj unë si njëri që kam qenë i inkuadruar drejtpërdrejt në proceset e sidomos në këto të fundit,  kam udhëhequr delegacionin e bisedimeve të Kosovës karshi delegacionit të Serbisë, ku ka qenë më ndërmjetësim ndërkombëtar, me Marti Ahtisarin, natyrisht që i kam parë zhvillimet e përditshme, për atë që do të ndodhe, duke pasur parasysh edhe faktet e arritura deri atëherë. Unë t’ju them për herë të parë se karshi atyre hipotezave që kanë qenë me presidentin Ahtisari, në qershorin e vitit 2006, kam marr propozimin e tij për një pavarësi të mbikëqyrur, e cila do të kapërcehej si e tillë, por ishte ajo ideja e tij e përmbledhur, duke pasur parasysh procesin e negociatave gati dy vjet. Është e natyrshme që kam pasur emocione, si çdo qytetar i Kosovës emocionet janë lidhur së pari me një gëzim që e përjetoja si pjesëtar i një gjenerate që ishin pjesë e këtyre proceseve dhe e dyta e përjetoja si një përmbushje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo që vlen të them është që me të prehet një epokë që mbetet në kujtesë, por edhe që po hyjmë në një epokë të obligimeve, të dëshmisë së qëndrueshmërisë së shtetit, dhe në një epokë ku jo vetëm duhet t’i kemi aksionet politike për ta bërë shtetin e Kosovës, por edhe për ta mbajtur të pavarur  shtetin e Kosovës. Prandaj e them se në vitet e para natyrisht që nuk kemi hyrë, e përdori si shprehje metaforike, në një parajsë të re, por kemi hyrë në një rrafsh që ka obligime, që ka përgjegjësi për ata që janë në krye të vendit.

Radio Kosova: Cilat ishin prapaskenat e asaj dite. Në kuptimin e takimeve tuaja, a dihej saktë data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Fatmir Sejdiu: Gjatë procesit të bisedimeve ka pasur ide e propozime të ndryshme, nga më të shpeshtat kanë qenë ato në kohën kur ne kemi përfunduar ciklin e parë të bisedimeve, në shtator të 2006-ës dhe kemi bërë përgatitjen që të kemi edhe dokumentin e presidentit Ahtisari në kohën kur kanë vazhduar bisedimet me atë ciklin e 120 ditëshit. Pra, ka pasur  ide që të ripërsëritet ngjarja e madhe e shqiptarëve të 1912-ës, pra me 28 nëntorin dhe që ka qenë faza e mëhershme që quhet nëntori i parë, pastaj nëntori i dytë dhe që të jetë nëntori i tretë. Rrethanat nuk kanë qenë që të ndodhte diçka e tillë. Dikush mund të ketë insistuar që të ketë më shumë  ide dhe hartime të projekteve të ndryshme, por rrethana më e përshtatshme ka qenë koordinim ynë me bashkësinë ndërkombëtare, flas për vendet që na kanë mbështetur fuqishëm. 17 shkurti nuk është i  rastësishëm, është një ditë e zgjedhur edhe në aspektin strategjik duke pasur parasysh lëvizjet e shumta që kanë qenë pjesë e kërcënimeve, sidomos nga Serbia dhe partnerët e saj. Ngjarja e 17 shkurtit,  është një ndër ngjarjet më të mëdha që kanë pasur shqiptarët, në këtë rast Kosova, duke  marrë parasysh gjithnjë po themi edhe të atyre që nuk janë më.

Radio Kosova: Kosova ka shënuar progres në rrugën e saj drejt shtetndërtimit. President Sejdiu, a vazhdojmë të kemi probleme në konsolidimin e shtetit edhe pas këtyre 15 vjetëve të pavarësisë?

Fatmir Sejdiu: Shteti është sfida vetë. Shteti donë përkushtime të mëdha, përkushtime të pandërprera, e them në të gjitha fushat, sepse nuk mund të shkëputet zinxhiri i sferave të interesit që janë për vendin. Prandaj mendoj që në fillet e tij janë bërë veprime jashtëzakonisht të mira, të cilat si të tilla kanë bërë që të bindet bota demokratike që e kanë njohur Kosovën. Por natyrisht që ka pasur edhe sfida dhe ngecje, sidomos ato që lidhen me ekonominë. Ndonëse nuk jam nga ata ekonomistët që studiojnë këto fenomene në mënyrë të thellë, sërish mbajtja dhe rritja e buxhetit të shtetit vetëm nga të hyrat doganore, diku mbi 85 për qind e tyre, nuk është garanci e mirë për ecjen në të gjitha rrafshet e tjera, të ekonomisë e industrisë e fushave të tjera. Andaj flas që në këtë fazë nuk kemi arritur, jo për fajin tonë, të kemi integrimin e të gjithë qytetarëve tanë, flas për komunitetin serb, të cilët janë renditur pas asaj do ta quaja ekipe radikale në veriun e Kosovës dhe të cilët ëndërrojnë për rikthimin e Kosovës nën Serbi e që kanë për qëllim tensionimin e situatës në Kosovë dhe pengimin e Kosovës në integrimet euro-atlantike, në integrime rajonale fillimisht, e pastaj në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë dhe në fund njohjen e Kosovës si shtet. Është një fushatë e egër që Serbia e bënë për gjenerata. Është  në një mënyrë vullnet i përmbushjes së dehjeve të miteve serbe, të miteve të rrejshme për Kosovën dhe njerëzit e saj, pra, një ringjallje e ideve të Vaso Çubriloviçit dhe të tjerëve, që janë mbështetur nga shteti i Serbisë. Marrë në përgjithësi kemi progres, por mundësitë kanë qenë edhe më të mëdha dhe besoj se ato duhet të shfrytëzohen nga elitat politike që kanë marrë përgjegjësinë nga qytetarët e Kosovës.   

Radio Kosova: Sa po arrijmë t’i ruajmë partnerët tanë ndërkombëtarë, me ndihmën e të cilëve e kemi formuar shtetin e Kosovës?

Fatmir Sejdiu: Është një konstatim i hershëm edhe nga pjesa zakonore s shqiptarëve se “është vështirë të sigurohet një mik, por është më vështirë  me e mbajt .” Me rëndësi të madhe është që të mos harrohet e tërë ajo që kanë bërë ato vende për Kosovën, në veçanti SHBA-ja dhe vendet aleate të BE-së, në kohët më të vështira që i ka pasur Kosova, duke filluar nga vitet e 90-ta, e deri tek intervenimi i NATO-ës. Prandaj nuk e marr me të mirë shumë kur ka përplasje, nganjëherë edhe të panevojshme, në formën si i kemi dëgjuar në kohët e fundit, por edhe në një fazë të mëhershme. Por e quaj tepër të vlefshme koherencën thjesht në veprime të përbashkëta. Natyrisht askush nuk thotë që të mos e thuash atë që mendon, e që ndonjëherë edhe mund të mos jenë të pëlqyeshme nga elemente të caktuara, personalitetet të caktuar, pavarësisht ndonjë vendi, por që është e rëndësishme gjithnjë të jetë një harmonizim. SHBA-ja është gjithnjë adresa jonë e komunikimeve strategjike, të partneritetit strategjik të domosdoshëm me të dhe natyrisht vende të rëndësishme nga BE-ja. Gjithnjë po e shohim se pa një ujdi të thellë të vendeve të fuqishme, është bukur vështirë të lëvizësh nga pikat që jemi karshi obstruksioneve të vazhdueshme që i bëhen vendit. Keni parasysh zhvillimet e fundit  në veri, që mund të ndikonin në destabilizimin e vendit, por edhe rajonit. Destabiliteti nuk i duhet as Kosovës, e as kontinentit të vjetër, e sidomos pas apetiteve të përgjakshme që kanë shpërthyer, pas luftës në Ukrainë nga ana e Federatës ruse, e cila kujdestaron për të testuar durimin tonë, për të testuar edhe reagimet e aleatëve që kemi. Por në këtë kontekst, ne nuk jemi në NATO, por jemi me NATO-në, prandaj duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme. 

Radio Kosova:Ku  e shihni Kosovën, 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë?

Fatmir Sejdiu: Mendoj se ka pasur lëvizje të cilat japin sinjale të mira. Ka fusha në të cilat duhet të bëhet më shumë, që duhet të bëhen edhe me koherencë të brendshme, sepse pa to nuk shkon, që roli i pozitës dhe opozitës të jenë në funksion të shtetit dhe mendoj se kjo ende në një far mënyre çalon. Më rëndësi është që njerëzit të kenë kujdes në këto veprime dhe të kemi të gjithë paralelisht përballë kësaj një elektorat po ashtu që duhet të jetë i përgjegjshëm edhe në kuptimin e zgjedhjes, por edhe në kuptimin e përgjegjësisë, prej atyre që i kanë zgjedhur. 

 


MË SHUME NGA Lajme