Historia e këngës N’xhamadanin vija-vija
Dafina Smajli/RTK
Në thesarin e këngëve më të bukura shqipe, të cilat ndër vite simbolizojnë dashurinë për atdheun, patriotizmin, krenarinë dhe etnosin tonë, është kënga “N’ Xhamadani vija- vija “ apo siç e ka titullin e parë: “ Kam një lot m’pikon si ar”.
Radio Televizioni i Kosovës, në prag të 15- vjetorit të Pavarësisë, ka zhvilluar një intervistë me Alfred Çapalikun- poet, Zef Çobën- kompozitor dhe Shkurte Fejzën, këngëtare. Ishin pikërisht këta tre që e jetësuan këngën shumë të dashur.
Në vijim tregohet në hollësi historiku i krijimit të këngës N’xhamadanin vija-vija, e cila në fillim titullohej: “Kam një lot m’pikon si ar”.
Bëhet fjalë për ngjarjen e cila ka ndodhur në vitin 1992, kur këngëtarja e mirënjohur, Shkurte Fejza, teksa po kalonte bashkë me bashkëshortin, Hajrush Behluli, kufirin për në Shqipëri, i lindi frymëzimi për këngë, kur lindi dhe vargu i parë: “Kam një lot m’pikon si ar”, si shpërfaqje e emocioneve që ngjallnin edhe gëzim por edhe dhimbje për atë kohë.
Duke qenë që artistja e madhe e këngës burimore, Shkurte Fejza, kishte dëshirë ta ndiqte spektaklin që organizohej asokohe në Shqipëri “ Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë” , nën drejtimin e regjisores Vera Grabocka, në RTSH, u lind ideja që vetë artistja e këngës, Shkurte Fejza, të bëhej pjesë e këtij spektakli.
Kështu, sikundër bëhet e ditur në historikun e krijimit të kësaj kënga, me propozimin e kompozitorit Pjetër Gaci, që kompozimin e tekstit ta bënte kompozitori Çoba, i cili, në bashkëpunim me poetin Alfred Çapalikun, kjo edhe u realizua.
Poeti Çapaliku, krijues i tekstit të këngës, i cili shprehet se është i lumtur që kënga i mbijetoi tri dekadave sqaron historikun e krijimit të tekstit, se, sipas tij, ajo doli vetvetiu nga shkrirja e 5 elementeve që ka poezia: Toka, Malet,Shqipëria, Kosova,Toka Nanë, Mëmëdheu; Uji, bora ,Drini i Zi, Vala e Drinit të bardhë; Ajri,qielli; Druri,Lahuta,djepi,Çiftelia,Sharkia; Metali,ari,telat e çiftelisë,shkallët muzikore, duke u bërë ati si këngë për spektaklin “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”.
Kjo këngë përjetoi një sukses të paparë, duke u shndërrua, siç do të shprehej kompozitori Valton Beqiri, në “himn i shqiptarëve”.























