Së shpejti Kosova bëhet me ‘Muze të Fëmijëve të Luftës’
Ardiana Hajzeri/Radio Kosova
Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ka paralajmëruar që në muajin prill të këtij viti pritet të hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës, që synon të rrisë kujtesën kolektive mbi luftën e fundit në Kosovë. Drejtues të kësaj organizatë kanë bërë të ditur se deri më tani rrëfimet e fëmijëve për luftën e fundit kanë mbetur në margjinat e kujtesës dhe narrativëve kolektivë.
Muzeu i Fëmijëve të Luftës së fundit në Kosovë pritet të hapet në prill të këtij viti. Marigona Shabiu, nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, organizatë që do të bëjë hapjen e këtij muzeu, i tha Radio Kosovës se në këtë muze do të prezantohen përvojat e ndryshme të fëmijëve nga të gjitha komunitetet që kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë.
“Jemi duke punuar që në muajin prill të hapët Muzeu. Ky muze do të prezantojë përvojat e ndryshme të fëmijëve nga të gjitha grupet etnike, të cilët e kanë përjetuar luftën në forma dhe mënyra të ndryshme”, deklaroi Shabiu.
Ajo tha se qëllimi i hapjes së këtij muzeu është rritja e kujtesës kolektive mbi luftën e fundit në Kosovë.
“Ky muze synon të kontribuojë në ndërtimin e një kujtese kolektive e cila është gjithëpërfshirëse, e cila i vendos në qendër të mbijetuarit. Sigurisht i vendos në qendër përvojat e qytetarëve civilë e në këtë rast të fëmijëve, pjesës me të ndjeshme të shoqërisë”, deklaroi Shabiu.
Po ashtu, ajo tha se synim tjetër është edhe edukimi gjeneratave të tjera në lidhje më atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës se fundit.
“Përmes Muzeut, gjithashtu ne synojmë që t’i edukojmë edhe gjeneratat e reja në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe t`u tregojmë të rinjve që këto përvoja nuk duhet t’i përjetojë asnjë fëmijë dhe po ashtu friken dhe traumat që i kanë përjetuar fëmijët në Kosovë, nuk duhet t’i përjetojë askush”, deklaroi mes tjerash Shabiu.
Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, ka bërë thirrje që qytetarët të kontribuojnë në këtë muze përmes gjësendeve personale, lodra, ditarë, rroba si dhe dëshmi të tjera audio-vizuale që paraqesin përvojat e luftës. Ndër të tjera është bërë e ditur se ndërtimi i kujtesës kolektive përmes memorializimit gjithëpërfshirës është një nga kriteret më të rëndësishme të drejtësisë tranzicionale. Prandaj, çdo objekt, kujtim dhe përvojë është e rëndësishme dhe meriton të shihet e dëgjohet.