Nis procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, akuzat ai i quan trillime
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Nis procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, akuzat ai i quan trillime

J.Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Nisi sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, seanca e parë gjyqësore ndaj të akuzuarit, Pjetër Shala, ish pjesëtar i UÇK-së, mbi të cilin rëndojnë akuza për krime lufte.

Në këtë seancë, fjalën e patën prokurorët të cilët kanë filluar të paraqesin pretendimet e tyre në lidhje me akuzat ndaj të pandehurit Shala.

Duke cituar pjesë të dëshmive të dëshmitarit, kundër të akuzuarit Pjetër Shala, të ndaluarit ishin shqiptarë, por  disa edhe me etni rome, të cilët nuk morën pjesë në luftime.

Sipas prokurorisë, ky dëshmitar u rrëmbye në maj 1999, policia e UÇK-së e arrestoi, e mbajti 3 ditë e më pas e dorëzuan te i akuzuari (Pjetër Shala v.j) së bashku me ushtarë të tjerë të UÇK-së për ta transferuar në Kukës, ku në fabrikë e dërguan në mbrëmje vonë me 20 maj 1999.

Ai ka thënë se më pas vijuan ta rrahin me shufra, shkop bejsbolli, shufra prej gome, shufra tjera dhe një pjesën e pasme të revolverit, e dogjën me cigare, i hodhën në plagë kripë dhe i thyen dhëmbët.

Duke rrëfyer pretendimet e njërit prej dëshmitarëve, Prokuroria deklaroi se ai ka qenë i ndaluar bashkë me 100 persona të tjerë dhe tani si dëshmuar kundër  Pjetër Shalës, ka rrëfyer se si është detyruar të pranojë se ka vrarë 100 shqiptarë, ka kryer  përdhunime dhe të këndojë një këngë serbe.

Pala e akuzës pretendon se i akuzuari Pjetër Shala ishte pjesë e grupit me Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqin, të dy të shpallur fajtor në dy gjyqe në Kosove për krimin e ndalimit arbitrar dhe keqtrajtimin e zhvilluar në fabrikën e Metalit në Kukës dhe se ai (Shala v.j), mori pjesë në vrasjen e një personi.

Prokuroria deklaroi se  aty  janë ndaluar dhe keqtrajtuar të paktën 18 viktima, kurse grupi ka vrarë njërin prej këtyre personave,  mes 4 apo 5 qershorit të 1999, apo afërsisht në atë kohë, që sipas organit të akuzës, ata ishin shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët.

Prokurori i ZPS-së, ka paraqitur para trupit gjykues akuzat për të cilat akuzohet Pjetër Shala.

Gjykatësja pastaj ka pyetur Pjetër Shalën se a i kupton akuzat më të cilat ngarkohet. Shala ka thënë se nuk i pranon.

“I kuptoj por nuk i pranoj të gjitha janë shpifje dhe trillime. Jam i pafajshëm”, ka thënë Shala.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sot në Hagë fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

A.Bela/RTKlive 

Sot, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) do të nisë gjykimi ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala ndaj të cilit rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë në ora 9:30, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Shala akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me katër akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Pretendohet se krimet u kryen afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Më 21 shkurt, kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohen akuzat, do ta informojë atë për të drejtat dhe detyrimet dhe do ta pyesë nëse e ka kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshiron të konfirmojë vetëdeklarimin e tij të mëhershëm si i pafajshëm. Më pas, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja do të kenë përkatësisht nga dy orë për të bërë deklaratat e tyre hyrëse. Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash.

"Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur. Personat të cilët mund të vërtetojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të pretenduar në Aktakuzën e konfirmuar të korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu mund të përfshihen si personat që kanë pësuar dëm të drejtpërdrejtë ashtu edhe ata që kanë pësuar dëm jo të drejtpërdrejtë, për shembull, për shkak të lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar", njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK).

 

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme