BERZH i gatshëm të ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë së ripërtëritshme
BKT
Lajme

BERZH i gatshëm të ndihmojë Kosovën në fushën e energjisë së ripërtëritshme

N.Mekolli /RTKlive

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, priti në takim Drejtorin Rajonal të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Matteo Colangeli së bashku me drejtorin e aktual të këtij institucioni në Kosovë, Neil Taylor dhe drejtorin e ri, Sergiy Maslichenko.

Bëhet e ditur se ata diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm, projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

“Gjatë takimit, kryeministri falënderoi Drejtorin e deritanishëm në Kosovë, Neil Taylor për bashkëpunimin e afërt dhe i uroi suksese në angazhimin e radhës, teksa i uroi mirëseardhje z. Maslichenko. Nga kryeministri u theksuan veçanërisht projektet si ai i rehabilitimit të hekurudhës, përkatësisht për sinjalizim dhe telekomunikim në kuadër të saj, impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë, dhe projektet e efiçiencës energjetike me komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, për të cilat projekte Qeveria e Kosovës po bashkëpunon me BERZh-in”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Gjithashtu njoftohet se Colangeli, në emër të BERZh-it shprehu gatishmërinë për të mbështetur qeverinë në projektet të ndryshme, me theks te ato në fushën e energjisë së ripërtëritshme (energji të erës dhe diellit), të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat.

Kryeministri Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, fundjavën që lëmë pas, kishte takuar presidenten e BERZh-it, Odile Basso.


MË SHUME NGA Lajme