Sveçla: Grupe të orkestruara nga Beogradi synojnë ta destabilizojnë vendin
M.Miftari/ RTKLive
Policia e Kosovës sot, në veri të Kosovës, ka konfiskuar 6.300 fishekë të kontrabanduar nga Serbia.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes rrjetit social Facebook, ka reaguar lidhur me këtë aksion të Policisë së Kosovës.
Në reagimin e ministrit Sveçla thuhet se përderisa presidenti serb Vuçiq flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia.
“6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar, mes tjerash, ministri Sveçla.
Më tej ai shtuar se kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi, synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.
Tutje, ministri Sveçla ka vënë dukje se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pandalshëm angazhimin në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cenojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë.


























