Szunyong: Komentet e BE-së nuk u morën parasysh nga Qeveria| Video
Elmine Osmani / RTK
Në Kushtetuese tash e 2 muaj është dorëzuar nga PDK edhe ligji për zyrtarët publikë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar. Për mënyrën e miratimit të këtij ligji por edhe ligjit për paga ka shfaqur kritika Bashkimi Evropian.
Vërejtjet e saj BE i ka shprehur përmes shefit të zyrës së saj në Kosovë, Tomas Szunyong, sipas të cilit ekzekutivi i vendit nuk i mori parasysh komentet e BE-së.
Por kryeministri Albin Kurti deklaroi se reforma në Administratën Publike është e domosdoshme dhe Kosova për herë të parë ka një sistem të unifikuar të pagës në sistemin publik.
Qeveria e Kosovës ka marrë vërejtje nga shefi i zyrës së BE-së për mospërfillje në rastin e miratimit të ligjit për paga dhe atë për zyrtarët publikë. Sipas shefit të kësaj zyre në Kosovë, Tomas Szunyong, ekzekutivi nuk i mori parasysh komentet e BE-së.
"Reforma në Administrata publike është një qelës bosht për t’u bashkuar në BE ku ofrohen shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset. Dy miratime që janë bërë në fund të vitit e kaluar plus edhe rishikimin e ligjit për pagat, ligji për zyrtarë publikë. Siç kemi thënë më parë, nuk pajtohemi me qasjen që ka marrë kuvendi për t'i miratuar këto ligje në procedurë të shpejtë sepse ligjet e tilla duhet të ngërthejnë konsultime të dobishme me të gjitha palët e interesit. Megjithatë këto konsultime nuk janë bërë në bazë të rregulloreve përkatëse. Dua të theksoj se këto konsultime me shoqërinë civile në publik është dashur të vlerësohen. Për këtë, është me rëndësi që qeveria të ofrojë informacion se çfarë veprimesh janë për sa i përket procesit të konsultimit", tha Tomas Szunyong shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Por qëndrim tjetër ka kryeministri i vendit Albin Kurti. Sipas tij, reforma në Administratë Publike është e domosdoshme.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik, në Republikën e Kosovës për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sistemin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë çfarë ishte në të kaluarën. Dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20 sa ishte dikur tani është zbritur në vetëm 4,70 herë. Kemi rritje të buxhetit për paga prej 105 milionë euro”, tha Albin Kurti kryeministër i Kosovës.
Këto deklarime u bënë në konferencën e “PAR PROGRESI KOSOVË 2023”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.























