Konjufca takon ambasadorin pakistanez, vlerësohen marrëdhëniet dypalëshe
E. Hoti/ RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident për Kosovën të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid.
Sipas njoftimit për media nga Kuvendi, në takim, përveç tjerash, u diskutua për marrëdhëniet miqësore, zhvillimet politike aktuale, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha dhe sektorë të ndryshëm me interes të ndërsjellë.
“Kryetari Konjufca i vlerësoi të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur për forcimin e lidhjeve miqësore dhe avancimin e bashkëpunimit me Pakistanin, përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave parlamentare. Duke u shprehur mirënjohës ndaj shtetit pakistanez, Kryetari i Kuvendit po ashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Ndërsa ambasadori Junaid, i cili shërben si ambasador rezident në Turqi, pasi e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen, konfirmoi mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të Pakistanit për Republikën e Kosovës dhe shprehu përkushtimin për fuqizimin e raporteve mes të dyja shteteve.























