RTK: Artikull tendencioz i Koha.net
BKT
Lajme

RTK: Artikull tendencioz i Koha.net

RTKlive

Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së e cilësojnë tendencioz artikullin e publikuar në Koha.net me titull “Ministria e Kulturës me 750 mijë euro për TV-kanal në promovim të vetes”, datë 22 shkurt 2023, ku aludohet se RTK-ja gjoja ka marrë përsipër që të prezantojë punën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Përmes një reagimi të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së, thuhet se ky shkrim që ka për bazë një memorandum bashkëpunimi mes RTK-së dhe Ministrisë përmban konstatime të paqëndrueshme.

“Mbulimi i ngjarjeve kulturore është obligim ligjor i RTK-së dhe vendimi për transformimin e RTK4, në një kanal kryesisht për art (gjë për të cilën edhe është themeluar vite më parë) nuk ka qenë kërkesë e Ministrisë, por përcaktim i Bordit dhe menaxhmentit aktual të RTK-së”, thuhet në reagim.

Tutje Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së vlerësojnë se për më shumë në këtë artikull  përmenden shifra të financimit, pa e prezantuar në mënyrë korrekte kontekstin e këtij financimi.

“Ashtu siç është praktikë edhe për shumë transmetues të tjerë publik në rajon, ministritë përkatëse financojnë aktivitete kulturore, arsimore, shkencore si dhe për diasporën, ndaras nga buxheti i rregullt (Radiotelevizioni i Shqipërisë - RTSH, Radiotelevizioni Kroat – HRT). Në këtë rast, shuma e apostrofuar është ekskluzivisht për orkestrën e RTK-së, Festivalin e Këngës (pasi Kosova synon edhe pjesëmarrjen në Eurovision)”, thuhet në reagim.

Pra, në reagim thuhet se në asnjë rast nuk përmendet përcjellja e aktiviteteve të ministrit.

“Memorandumi ka të bëjë vetëm me kalendarin e ngjarjeve kulturore, mbulimi dhe transmetimi i të cilave në ekran është obligim ligjor i RTK-së. Për më tepër, është shqetësuese që konstatime të tilla publikohen pa e kontaktuar fare RTK-në, si palë e përmendur në shkrim, gjë e cila është ndër elementet kryesore të zbatimit të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës”, përfundon reagimi i Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së.


MË SHUME NGA Lajme