Kuvendi, ratifikohen tri marrëveshje të Procesit të Berlinit
BKT
Lajme

Kuvendi, ratifikohen tri marrëveshje të Procesit të Berlinit

N.M. - B. H./ RTKlive

(E plotësur) Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë ratifikuar edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Kuvendi më parë, me 82 vota, ka ratifikuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, ishin nënshkruar nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ratifikohet Marrëveshja për lëvizje me letërnjoftim në Ballkanin Perëndimor

(E plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë marrëveshje votuan deputetët nga pozita edhe opozita, me 82 vota për dhe asnjë votë kundër.

Kurti: Projekti i banesave për çiftet e reja do të zbatohet këtë vit

(E plotësuar) Në seancën e sotme të Kuvendit foli kryeministri Albin Kurti, të cilit iu parashtrua pyetja për çështjen e ndërtimit të njësive banesore për çiftet e sapomartuara, zotim që ka premtuar në fushatën zgjedhore.

Ai, për projektin e apostrofuar në seancë nga deputetja Bytyqi, e deklaroi se projekti për banim të përballueshëm është projekt unik e zbatohet për herë të parë ne Kosovë.

“Ky projekt është krejtësisht i ndryshëm prej banesave me raste sociale,  të cilat ekzistojnë në një masë në Kosovë, ku për këtë është aprovuar kredia prej 25 milionë eurosh nga Banka Zhvillimore e KE-së dhe shumë shpejtë pritet që të vijë në Kuvend si projektligj edhe marrëveshja”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai më tutje sqaroi se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për studim fizibiliteti me IFC-në për banim me kosto të përballueshëm.

“IFC, si pjesë e grupit të Bankës Botërore, më 1 shkurt 2023, ka prezantuar para ministrit Aliu dhe kabinetit te tij studimit dhe rekomandimet se si ky projekt mund të zbatohet në Kosovë”, bëri të njohur kryeministri Kurti, derisa sqaroi më tej se studimi ka IFC ka përfshirë: analizën ë sektorit të banimit në Kosovë; analizën e aspektit ligjor që mundëson  realizimin e projektit dhe  modelin financiar që mundëson të analizojmë skenarë të ndryshëm të implementimit si dhe kalkulon koston që qeveria do ta bartë.

Ndryshe, sikundër bëri të ditur kryeministri Kurti, sipas skenarit bazë të IFC-ja kostoja e ndërtimit për këtë projekt është përafërsisht 200 milionë euro që përbën një prej projekteve ma madhore të qeverisë sonë.

“Pasi kemi pranuar studimin dhe ekspertizën nga IFC-ja, ne do të caktojmë një ekip që do të fillojë implementimit të projektit nëpër komuna”, shtoi kreu i Qeverisë, Albin Kurti, duke shtuar se projekti do të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti dhe po besojmë se edhe komunat tjera të mëdha në Kosovë do të dedikojnë tokën komunale për të implementuar projektin, meqë në këtë aspekt ne varemi prej tyre.

Ai përmendi komunat që kanë siguruar lokacionet ku do të mund të fillojë zbatimi  projektit, të cilat janë: Prishtina Peja dhe Gjilani.

“Projekti është komplet dhe po implementohet për herë të parë në Kosovë kërkon ekspertizë për implementim të qëndrueshëm. Si qeveri do të bëjmë të pamundurën që projekti i planifikuar për ndërtimin e  4 mijë njësive banesorë të realizohet sa më që është e mundur”, tha në fund kryeministri Kurti.

Kurti për marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, premtoi se do të bëhet rishikimi

(E plotësuar) Lidhur me këtë kryeministri Kurti tha se kjo çështje do të trajtohet, sikurse është paraparë me marrëveshjen e dy presidentëve që marrëveshja të rishqyrtohet në një kohë më të përshtatshme për të dyja palët.

“Në Qeverinë e Kosovës është aprovuar raporti m mbi 800 faqe dh qindra fakte hartografike, por që qëndrimi i LVV-së që udhëheq unë ishte së pari rishikim pastaj ratifikim. Qeveria asokohe nuk veproi si duhet, bëri së pari ratifikim e pastaj premtoi rishikim e korrigjim”, deklaroi Kurti.

Më tej ai shtoi se kur të arrihet pajtimi së bashku me Malin e Zi për të vënë shënime në terren pas analizës në detaje të dyja raporteve, duhet  bërë rishikimin sipas marrëveshje dhe propozimit për ndryshimet e mundshme logjike dhe të pranueshme për të dyja palët.

“Për ne dokumentet janë të qarta, ekspertët vendorë edhe më tej kanë punuar në këtë drejtim jemi të gatshëm të koordinohemi me palën malazeze për veprime të përbashkëta të mëtejme”, tha në fund kryeministri Kurti.

Kurti për Kishën Ortodokse Serbe, formalizimi i saj nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj

Lidhur me statusin e Kishës Ortodokse Serbe, kryeministri Kurti sqaroi se marrëveshja përmban njohjen e ndërsjellë të formës de fakto e, sa i përket pyetjes për Kishën Ortodokse Serbe, propozimi për marrëveshje përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse serbe, që nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejtat e veçanta.

Kurti: Angazhohemi në ruajtjen dhe promovimin  e Procesit të Berlinit, ku respektohen barazitë e pjesëmarrësve

(E plotësuar) Kryeministri Kurti lidhur me projektligjin  Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, theksoi se që në fillim të këtij mandatit qeverisës jemi angazhuar fuqishëm në ruajtjen dhe promovimin  e Procesit të Berlinit, si platformë e vetme gjithëpërfshirës rajonale që respekton barazinë e pjesëmarrësve.

Ai më tej shtoi se në kuadër të këtij procesi ne kemi tregun e përbashkët rajonal, i cili ka potencialin që të krijojë një hapësirë pa pengesa për zbatimin e 4 lirive themelore të BE-së.

“Brenda kësaj kornize kemi punuar në dy vitet e kaluar me vendet e rajonit që të sjellim në jetë tri marrëveshjet e para në kuadër të tregut të përbashkët rajonal që përfshin dy nga katër liritë themelore. Do të ketë marrëveshje të tjera, por midis asaj se a të presim që të dakordohemi edhe për profesione të tjera apo t’i bëjmë këto marrëveshje për këto tri profesione ne kemi vendosur për këtë të dytën me qenë së për të parën do të prisnim shumë gjatë”, deklaroi kryeministri Kurti, teksa shtoi se janë në rend edhe profesionet të tjera që do te nënshkruhen në vijim, pasi që do të negociohen, por meqë i kishim këto tri marrëveshje me rezultate të gatshme është vendosur që një marrëveshje me këto, sesa të presim më shumë kohë për më shumë profesione.

 

Haradinaj: Pranimi i planit franko-gjerman i ndal qëllimet e Rusisë

(E plotësuar)  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Kosova duke pranuar planin franko-gjerman, arrin me i ndal qëllimet e Rusisë që ka për destabilizimin e Ballkanit.

 “I vetmi vend në botë që s’i konvenon marrëveshja është Rusia. Është vendi i vetëm Rusia i cili nuk e dëshiron një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ata kanë dëshirë që kjo çështje të mbetet e hapur, qoftë për destabilizim, qoftë për ta përdorur si shembull. Të hënën mundet me e mbyllë marrëveshjen, jo vetëm me dhënë sinjale pozitive”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se përpos aspektit të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova duhet ta fusë në marrëveshje edhe komponentën financiare në mënyrë që të ndalen rrjedhjet buxhetore në veri të vendit.

Ai tha se Kosova nuk mbledh tatim në veri të vendit, ndërsa ka edhe elemente tjera që e vështirësojnë situatën buxhetore të Kosovës në raport me veriun.

“Unë besoj shumë që është një moment i mirë që kryeministri i Kosovës ti kërkon Amerikës dhe BE-së edhe ndihmë financiatre por edhe investime por edhe përkrahje ekonomike, për të zbatuar rendin dhe ligjin në veri, por edhe zhvillimin ekonomik por pa rrjedhje të vazhdueshme buxhetore të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Hoti kërkon nga Kurti ta sqarojë pozicionin e tij para takimit në Bruksel

(E plotësuar)  Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka thënë se as për deputetët dhe as për qytetarët nuk është e qartë se çfarë pozicioni do të mbajë Qeveria e Kosovës në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Ish-kryeministri i vendit ka parashtruar një sërë pyetjesh për kryeministrin Kurti që kanë të bëjnë me dialogun. “Cila është përmbajtja e plotë dhe finale e planit franko-gjerman. Cili është qëndrimi i Qeverisë ndaj këtij plani përveç deklarimit se është bazë e mirë për negocim më tutje. Çfarë vërejtje janë dërguar për këtë plan në fund të vitit të kaluar dhe cilat prej atyre vërejtjeve janë marrë parasysh në draftin që do të diskutohet të hënën? Cili është qëndrimi i kryeministrit ndaj marrëveshjeve paraprake, në veçanti për marrëveshjen e Asociacionit? A është kryeministri kundër kësaj marrëveshje siç e ka kundërshtuar në dhjetë vitet e fundit me akte të dhunshme dhe jo demokratike apo është pro, me disa kushte që i ka prezantuar, e që unë besoj se janë vetëm sa për të ruajtur fytyrën apo kjo çështje është e mbyllur sikur që u deklarua presidentja për çështjen e demarkacionit. A insiston kryeministri vetëm për marrëveshje me njohje reciproke apo është i  gatshëm t’i përbijë sharjet dhe kritikat ndaj oponentëve që sot janë opozitë dhe ta pranojë marrëveshjen pa njohje, duke e lënë problemin të hapur për Qeverinë e ardhshme. Besoj që është obligim kushtetues që të informohet Kuvendi i Kosovës për këto çështje dhe që është e domosdoshme që ky debat të kryhet para të hënës dhe kjo është edhe në interes të kryeministrit për të formalizuar qëndrimin e tij, të mbështetur edhe me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Tahiri: Kjo qeveri ka braktisur qytetarët

(E plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se në dy vitet e fundit shifrat e qytetarëve që kanë braktisur Kosovën janë tmerruese.

Sipas Agjensisë së Statistikave të Kosovës numri i qytetarëve të Kosovës që gjatë vitit 2021 që kanë lënë vendin tonë dhe kanë emigruar legalisht e ilegalisht nga është rreth 42 mijë e 728 qytetarë. Ndërsa në vitin 2022 sipas raportimeve që kemi parë nga mediat, vetëm më viza pune janë pajisur rreth 42 mijë qytetarë, pra ende nuk e dimë numrin e saktë te qytetarëve në total të vitit 2022 që kanë lënë Republikën e Kosovës... Lexuam edhe për largimin e nxënësve e mjekëve nga Kosova”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se kostot e jetesës po bëhen të papërballueshme për qytetarët, papunësia në vitin 2022 është rritur, në krahasim me një vit më parë.

Sipas deputetit Tahiri, qeveria është duke krijuar një ambient për ikjen e qytetarëve nga Kosova.

“Kjo qeveri ka braktisur qytetarët mirë, ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë dhe të pajtohemi me një gjë të tillë, dhe jemi këtu për t’ia kujtuar kryeministrit Kurti që në Kosovë ka edhe jetë, ka edhe angazhim tjetër përtej angazhimit të tij në dialog”, tha pos tjerash Tahiri.

 

Kryeziu: Serbia e frymëzuar nga Putini synon ta cenojë sigurinë në Kosovë

(E plotësuar) Deputetja e LVV-së, Arbreshë Kryeziu ka përgëzuar popullin dhe institucionet e shtetit ukrainas që me vendosmëri po luftojnë për vendin e tyre edhe pas një viti nga agresioni i Rusisë.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në njëvjetorin e agresionit rus në Ukrainë, ajo ka thënë se kjo luftë lëkundi tejmase themelet mbi të cilat është ndërtuar vet Bashkimi Evropian - paqen.

“Kjo luftë i bëri shumë shtete të reflektojnë dhe t’i zgjasnin dorën Ukrainës në një kohë kur bota përveç tjerash po përballej edhe me krizën energjetike dhe me atë të inflacionit pikërisht si pasojë e kësaj lufte”, tha Kryeziu.

Ajo tutje vuri në pah se Kosova që nga ditët e para të kësaj lufte u rreshtua me botën demokratike, duke e dënuar agresionin rus dhe duke vendosur sanksione mbi Rusinë, por jo edhe Serbia, e cila vazhdimisht synon të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

“Njëjtë vepruan shumë shtete demokratike që janë në kërkim të paqes dhe stabilitetit, por të njëjtën nuk e bëri Serbia, përkundrazi ajo u rreshtua përkrah Putinit të Rusisë si urë lidhëse për të bartur konfliktin dhe rrezikun e destabilizimit edhe në Ballkan. Serbia e cila asnjëherë nuk i ka shuar pretendimet territoriale ndaj Kosovës e frymëzuar dhe ndikuar nga Putini është përpjekur disa herë të cenojë sigurinë, integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës. Insistimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, bllokimi i procesit negociator në Bruksel dhe mospranimi për të dialoguar mbi planin franko-gjerman shpërfaq hapur dëshirën e tyre për destabilizim dhe denormalizim të situatës në Kosovë”, tha tutje deputetja e VV-së.   

Ajo ka thënë se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës. “Pozicionimi i secilit sot kundër ‘Zajednicës’ i jep forcë kundërshtimit për të mos pranuar atë. Të bëhemi bashkë dhe ta themi njëzëri se ‘Zajednica’ nuk kalon”, u shpreh Kryeziu.

Me një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë, nis seanca e Kuvendit

(E plotësuar) Me një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë në një vjetorin e agresion rus, ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës. Përveç pikave të rendit të ditës, deputetët në seancën e sotme do të shqyrtojnë edhe tri marrëveshjet e miratuara në Qeveri që lidhen me Procesin e Berlinit.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, ishin nënshkruar nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në seancën e sotme deputetët po ashtu do të shqyrtojnë edhe Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe një varg projektligjesh.

 

Kuvendi sot mban seancë, shqyrton tri marrëveshje të Procesit të Berlinit

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare prej orës 10:00, në të cilën përveç pikave të rendit të ditës, do të shqyrtohen edhe tri marrëveshjet e miratuara në Qeveri, ato nga Procesi i Berlinit.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, ishin nënshkruar nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në seancën e sotme deputetët po ashtu do të shqyrtojnë edhe Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe një varg projektligjesh dhe Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Rendi i ditës:

1.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2.    Pyetjet parlamentare,

3.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

4.    Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë,

5.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-215 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor,

6.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-216 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor,

7.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-217 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,

8.    Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,

9.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,

10.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,

11.    Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë nr. 04/112, dt. 13.12.2022 për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,

12.    Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,

13.    Shqyrtimi i Propozimit të GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

Deputetët e Kuvendi, në seancën e djeshme, nuk i kanë dhënë mbështetje Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.


MË SHUME NGA Lajme