OKB me rezolutë të re për Ukrainën
Hanife Osmani / RTK
Kreu i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi pushtimin rus në Ukrainë, në prag të shënimit të njëvjetorit të luftës atje. Ai këtë e konsideroi - shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar, ndërsa theksoi se kjo është fyerje për ndërgjegjen kolektive të botës, në një takim të Asamblesë së Përgjithshme.
Ndërsa Kremlini ka drejtuar akuzua drejt Perëndimit, se dëshiron ta mposhtë Rusinë me çdo kusht.
Vasily Nebenzya, ambasadori i Kremlinit në OKB, tha se SHBA dhe aleatët e saj ishin të përgatitur për ta zhytur të gjithë botën në luftë. Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi deri në 200,000 ushtarë në Ukrainë më 24 shkurt 2022, në pushtimin më të madh evropian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Lufta shkatërruese Rusi-Ukrainë la të paktën 7,199 civilë të vdekur dhe mijëra të tjerë të plagosur, sipas një vlerësimi të OKB-së, ndërsa të dyja palët kanë humbur të paktën 100.000 ushtarë, sipas vlerësimeve të ushtrisë amerikane. Pasojat e luftës detyruan edhe miliona refugjatë të kërkojnë strehim jashtë vendit.
Në anën tjetër, pretendimi i Putinit se i gjithë ky operacion ishte i nevojshëm për të "çmilitarizuar dhe denazifikuar" Ukrainën, një vend me lidhje historike me Rusinë, u hodh poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj, si një mashtrim për një sulm të paprovokuar.
OKB-ja pritet ta miratojë një rezolutë të re e cila thekson nevojën për të arritur sa më shpejt paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, kjo rezolutë e mbështetur nga 60 vende nuk është ligjërisht e detyrueshme, por që ka peshë politike dhe se votimi i saj pritet të bëhet të enjten mbrëma në prag të përvjetorit të parë të pushtimit.