Kurti: Sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është vendi i dytë që ratifikon tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit, ndërkaq siç tha ai, me 2/3 e votave Kosova bëhet shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend.
“Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”, ka shkruar Kryeministri Kurti në Facebook.
Tutje ka thënë Kurti se shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku përbëjnë një treg me rreth 18 milionë banorë.
“Marrëveshjet që ratifikuam sot për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit të lartë dhe njohjen e ndërsjellë të profesioneve të mjekut, stomatologut dhe arkitektit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të rrisin mobilitetin e studentëve, punëtorëve dhe bizneseve do të sjellin përfitime për të gjithë”, ka thënë i pari i qeverisë së Kosovës, duke shpresuar se edhe vendet tjera nënshkruese të ndjekin ritmin e njëjtë ashtu që të mirat për qytetarët tanë të fillojnë sa më parë.























