Mësuesit thonë se riorganizimi i shkollave ka ngritur cilësinë në arsim
Besjana Mulaj|RTK
Kamenica është njëra nga komunat e para në vend e cila, për shkak të mungesës së nxënësve, ka aplikuar riorganizimin e procesit mësimor. Shkollat ‘Idriz Seferi’ në Strezoc, ‘Nuhi Berisha’ Në Tuxhec dhe ‘7 Shtatori’ në Krilevë janë mbyllur dhe nxënësit e vijojnë mësimin në Kamenicë.
Njohësit e fushës së arsimit thonë se mungesë të nxënësve ka edhe në komunat e tjera dhe një riorganizim duhet të bëhet nga institucionet qendrore të vendit.
Shkolla më e afërt e këtyre dy nxënësve tash e tri vjet është e mbyllur.
Andaj për t'i ndjekur mësimin, ata duhet të udhëtojnë çdo ditë nga fshati Strezoc deri në Kamenicë. E mbyllur është edhe shkolla në fshatin Krilevë, e cila i plotëson të gjitha kushtet për procesin mësimor, por nuk e arriti numrin maksimal të nxënësve për ta vazhduar funksionimin.
Mësimdhënësja Gjyltene Jerliu thotë se klasa e saj kishte vetëm tre nxënës, andaj u transferuan në shkollën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Kamenicë.
Transporti i fëmijëve që udhëtojnë nga fshatrat është i siguruar nga Komuna e Kamenicës.
Situatën aktuale, nga komuna e quajnë të qëndrueshme.
Qehaja thotë se mungesë të nxënësve ka edhe në komunat e tjera, madje ka raste që është e nevojshme të mbyllen shkollat të cilat janë ndërtuar gjatë 15 viteve të fundit.























