Urta Haziraj, sopranoja që synon skenat botërore
Foto/ Lumira Kelmendi
Kulturë

Urta Haziraj, sopranoja që synon skenat botërore

Lumira Kelmendi|RTK

Frymëzimi për të kënduar muzikë klasike erdhi nga babai. Urta Haziraj për herë të parë e kuptoi nga babai se dëshira e saj ishte të jetë pjesë e skenës muzikore. Më pas ishte kinematografia muzika e filmave, përmes së cilës ajo u njoh me operën. Dhe që nga momenti kur e zbuloi talentin e saj për të kënduar, Urta nuk është ndalur më, gjithmonë në kërkim për studime të avancuara, profesionale dhe koncerte të muzikës klasike.

Koncertin e parë solistik, Urta e kishte mbajtur në vitin 2017 dhe sipas saj emocionet në atë koncert i ka lënë që në notën e parë që e ka kënduar, duke e shijuar në pafundësi performimin e veprave muzikore. E njëjta gjë ndodhi edhe në këtë mbrëmje koncertale, e cila u shoqërua në piano nga Lirika Pula Kasapolli, Visar Kuqi-violinë dhe Milot Mehmeti-kitarë.

Në këtë koncert janë interpretuar vepra nga kompozitorët: E.Humperdinck, W.A.Mozart, B. Britten, L. Bernstein, V. Bellini, J. Foley, A.Ll. Webber.

Elife Podvorica Jashari - soprano, kujton kohën kur Urta Haziraj e ka pas nxënëse në shkollën e mesme dhe shprehet se ajo ka një shpirt artistik dhe kreativ, e cila punën dhe përkushtimin e saj e ka treguar që nga fillimi i karrierës së saj.

Sopranoja Urta Haziraj në skenë performon bazuar në rolin që angazhohet, por gjithmonë duke përcjellë pozitivitet dhe urtësi për publikun, sepse të dyja këto ngjajnë shumë me karakterin e saj.

Lirika Pula-Kasapolli - pianiste është shprehur se “Urta është zhvilluar shumë si nga ana muzikore, po ashtu edhe nga ajo teknike. Ajo është shumë këmbëngulëse për të realizuar dëshirat e saj dhe patjetër që në të ardhmen do të arrijë suksese”.

Ajo ka marrë pjesë në festivale të muzikës klasike në Kosovë si, Chopin Piano Fest, Ramë Lahaj Opera Festival, Dam Fest, Pri Vocal Fest, EtnoFest, FemArt dhe së fundi edhe në Operën La Traviata, ndërsa ka mbajtur masterklasa me emrat më të njohur të muzikës klasike vendore dhe botërore. Sukseset kanë vazhduar edhe në skenën ndërkombëtare si në Belgjikë, Berlin etj.

Gjithashtu, është pjesë e korit të Filharmonisë së Kosovës.

Urta Haziraj e sheh veten me besim të plotë edhe në skenat ndërkombëtare të muzikës klasike, me synimin kryesor që gjithmonë të fokusohet në vazhdimin e punës si soprano, duke dhënë kontributin e saj në shoqëri, me art dhe kulturë.


MË SHUME NGA Kulturë