Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë përkujtoi Adem Demaçin
BKT
Lajme

Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë përkujtoi Adem Demaçin

Hana Marteti|RTK

Kosovës dhe çështjes kombëtare të shqiptarëve, një jetë të tërë ia kushtoi simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi. Ai u përkujtua sot në 87-vjetorin e lindjes.

Jetoi 82 vjet prej të cilave 28 i kaloi si i burgosur politik për çështjen kombëtare shqiptare. Adem Demaçi, i njohur si 'Mandela i Kosovës', gjithë veprimtarinë e tij ia kushtoi kauzës kombëtare.

Sot, kur do të duhej të mbushte 87 vjet, bashkëveprimtarë të tij nga Shoqata e ish-të burgosurve politikë zgjodhën që përmes një ekspozite të sillnin mendime të zgjedhura për simbolin e rezistencës kombëtare.

Nderime iu bënë edhe te varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

Edhe përfaqësues institucionalë e politikë përkujtuan veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçi. Kryeministri Albin Kurti i bëri një vizitë familjes Demaçi por të njëjtën ditë vizitoi edhe familjen Dehari për të përkujtuar edhe ditëlindjen e Astrit Deharit.

Ai tha se në këtë ditë përkujtohen njëri si e vërteta e shqiptarëve në raport me Serbinë, tjetri si konfirmim i asaj të vërtete dhe drejtësi ende e munguar në Kosovë.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjete sociale tha se Demaçin nuk e thyen as vitet e shumta në burgjet serbe.

Për kauzën dhe rezistencën e tij, në vitin 1991 Adem Demaçi u nderua me çmimin Saharov, ndërsa në vitin 1995 mori Çmimin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos.


MË SHUME NGA Lajme