Inspektohet klinika private ku ndërroi jetë pacientja 41-vjeçare|Video
BKT
Lajme

Inspektohet klinika private ku ndërroi jetë pacientja 41-vjeçare|Video

Driton Ramadani / RTK

Inspektorë të Inspektoratit të Shëndetësisë u paraqitën qysh në orët e mëngjesit të së hënës në poliklinikën private, ku dy ditë më parë një grua 41-vjeçare ndërroi jetë pas një intervenimi gjinekologjik që kreu në këtë klinikë.

Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ia kanë konfirmuar RTK-së përmes një përgjigje me shkrim se janë në proces të inspektimit.

“Bazuar në informatat e pranuara nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të IPSh-ve, poliklinika private në fjalë në Ferizaj është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë më datë 04.11.2021 për disa veprimtari shëndetësore, ndër të cilat edhe për Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë me disa shërbime. Lidhur me rastin në fjalë, Inspektorati Shëndetësor është në proces të inspektimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ky inspektim ndodhi dy ditë pasi kishte ndodhur rasti teksa një ditë më parë, kryeinspektorja Nora Kursani ia konfirmoi RTK-së përmes telefonit se si inspektorat nuk kanë qenë të ftuar për ta inspektuar këtë klinikë.

RTK ka kërkuar një përgjigje edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës nëse kanë nisur ndonjë hetim për shkaqet e mos-informimit nga autoritetet policore të inspektoratit shëndetësorë. Inspektorati i Policisë ka konfirmuar se sipas detyrës zyrtare, është në fazën e grumbullimit të informacioneve. E njëjta pyetje për shkaqet e mos-informimit të inspektoratit të shëndetësisë i është drejtuar edhe prokurorisë së shtetit, por as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërsa një ditë më parë, Policia e Kosovës ka njoftuar se për rastin janë njoftuar nga emergjenca e Ferizajt, e cila të shtunën kishte pranuar pacienten pa shenja jete. Sipas Policisë, dy persona janë intervistuar deri më tani lidhur me rastin dhe sipas informacioneve të para, e ndjera, pas një intervenimi gjinekologjik në ordinancën private, kishte pasur shtrëngime gjoksi ku i ishte dhënë ndihma e parë dhe më pas ishte dërguar drejt emergjencës së Ferizaj.


MË SHUME NGA Lajme