PDK bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Likoshan e Qirez
Fadil Sertolli / RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me anëtarë të tjerë të kësaj partie kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në fshatin Likoshan e Qirez të Drenasit, në 25 vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe.
Përmes një statusi në Facebook, kreu i PDK-së ka bërë të ditur se në këtë masakër u vranë e u masakruan në mënyrë barbare burra, gra e pleq të paarmatosur.
“25 vjet nga Beteja e Likoshanit dhe Çirezit, ku forcat policore e paramilitare serbe, në pamundësi të ballafaqimit me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen një nga masakrat më të tmerrshme në rajonin e Drenicës, duke vrarë në mënyrën më barbare burra, gra e pleq të paarmatosur”, tha ai.
Tutje ai u shpreh se me kolegë e bashkëpunëtorë bëmë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit.
“Me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit, për të nderuar sakrificën dhe flijimin e atyre që ranë heroikisht, që ne ta gëzojmë jetën në Kosovën e lirë”, ka shkruar i pari i PDK-së.























