Vëllaznimi publikon momentet kur u dëmtua nga gjyqtarët
B. H. / RTKlive
Skuadra e Vëllaznimit ka publikuar në Facebook videot e dy rasteve në të cilat pretendon se është dëmtuar rëndë nga gjyqtarët në ndeshjen ndaj Istogut në fundjavë.
Në rastin e parë shihet portieri i Istogut, Egzon Lekaj që brenda zonës e ka goditur në kokë lojtarin e Vëllaznimit në një duel në ajër, por gjyqtari nuk akordon penallti.
Në rastin e dytë futbollisti i Istogut shënon gol nga pozita jashtë loje, derisa gjyqtarët nuk reagojnë.
”KF Vëllaznimi vazhdon të dëmtohet nga një referim skandaloz. Në rastin e parë futbollisti i Vëllaznimit grushtohet nga portieri i Istogut dhe referi kryesor dhe anësor mbyllin sytë, duke ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes. Në rastin e dytë futbollisti i Istogut vjen nga pozita jashtë loje dhe shënon gol, referi kryesor dhe anësor prapë mbyllin sytë, duke ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes. Deri kur kështu kundër Vëllaznimit, deri kur ???,” ka shkruar skuadra gjakovare.
Klubi kuqezi ka bërë të ditur se kanë ushtruar ankesë në organet kompetente dhe presin reagimin e plotë dhe të fuqishëm të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ndeshja e lartpërmendur përfundoi me rezultat 1-2 në të mirë të mysafirëve.
Pas 16 xhirove të para në Ligën e Parë të Kosovës (Grupi A), Vëllaznimi ndodhet në pozitën e fundit me vetëm dy pikë, ndërsa, Istogu në vendin e dytë me 29 pikë.























