Pranimi i propozimit evropian vlerësohet si progres për Kosovën|Video
BKT
Lajme

Pranimi i propozimit evropian vlerësohet si progres për Kosovën|Video

B. Halimi / RTKlive

Pranimi i propozimit evropian për marrëveshje për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po shihet si një arritje e rëndësishme për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe forcimit të statutit ndërkombëtar.

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese dhe Bekim Baliqi profesor i të Drejtës Ndërkombëtare duke e analizuar nen për nen dokumentin e propozimit evropian, i cili u publikua mbrëmë nga Bashkimi Evropian dhe për të cilin u pajtuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë thënë se ky plan paraqet një progres për Kosovën.  

“Ne e kemi planin, i kemi parimet themelore të veprimit, por nuk e kemi ende planin e veprimit. Megjithatë, unë e shoh si një arritje të madhe sepse me të Kosova e fiton një status evropian dhe ndërkombëtar njëkohësisht, edhe pa njohje formale nga Serbia. Besoj thellësisht se me pranimin e këtij dokumenti Kosova e ka hap rrugën e cila do të jetë shumë e shpejtë për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Gjyljeta Mushkolaj në “RTK Prime”.

Ajo ka thënë se Këshilli i Evropës është organizatë formale evropiane dhe është organizata në djepin e së cilës kanë lindur mbi 200 traktate ndërkombëtare dhe në momentin kur Kosova të anëtarësohet automatikisht do të jetë aderuese dhe nënshkruese në mbi 200 traktate ndërkombëtare e  që burimin e kanë në Këshillin e Evropës.

Ndërkaq, prof. Baliqi ka thënë se në dokumentin e publikuar nga BE janë disa ndryshime përmbajtësore dhe substanciale, teksa e ka vlerësuar këtë si një sukses të këtyre negociatave të fundit. “Sepse krahasuar me versionin që është publikuar jozyrtarisht në mediat tona në shtator, disa prej këtyre neneve nuk kanë qenë të formuluara në këtë mënyrë, e disa janë shtuar. Kështu që në shumicën e pikave shohim se ka progres. Ka përmbajtësish përmirësim të pozitës tonë negociuese. Prej titullit, ne shohim që është një marrëveshje në rrugën për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra nuk përmendet Beogradi dhe Prishtina si palë, por përmenden dy shtete. Pastaj edhe preambula flet për mosndryshimin e kufijve, flet për integritetin, flet për sovranitetin, pra është ajo çfarë bëhet marrëveshje ndërmjet dy shteteve. Pra në tërësi paraqet një progres sepse marrëveshja bëhet mes dy shteteve. Pra, Kosova paraqitet jo vetëm si palë, por si palë shtetërore”, ka theksuar Baliqi në “RTK Prime”.

Sipas tij ajo çfarë mbetet për t’u interpretuar është tejkalimi i trashëgimisë së të kaluarës dhe nëse kjo nënkupton amnisti, apo kupton tejkalim të narracionit.

“Në përgjithësi ka një progres krahasuar me marrëveshjet paraprake,  edhe atë të viti 2013, edhe atë të 2015-s, edhe me marrëveshjen e Uashingtonit, por edhe me propozimin e publikuar më herët jozyrtar”, ka shtuar Baliqi, sipas të cilit neni 2 i dokumentit realisht është njohje defakto e Kosovës nga ana e Serbisë.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënës e me propozimin evropian largohet pak paqartësia që e ka pas marrëveshja e vitit 2013.

“Tash Asociacioni është bërë pak më i qartë. Ai do t’i ketë dy aspekte, që ndërlidhen edhe me aspektin e mbështetjes financiare të Serbisë. Asociacioni brenda për brenda do të jetë organizatë joqeveritare, do ta ketë formën dhe kompetencat e një OJQ-je. Në anën tjetër ky Asociacion nuk do të jetë OJQ dhe i vetmi ndryshim midis një OJQ-je dhe këtij Asociacioni është se ai do të jetë komplet i mbikëqyrur nga qeveria dhe ajo mbikëqyrje do të jetë e tillë që ai asociacion në momentin kur e miraton statutin e vet, ai statut dërgohet në Kushtetuese, e ky është një detaj tejet i rëndësishëm pozitiv prej të gjitha aspekteve tjera negative kundër kushtetutshmërisë së asaj marrëveshje të vitit 2015. Pra, është siguruar dhe kjo është fuqizuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që jo vetëm statuti por edhe çdo amandamentim i mundshëm i statutit të atij asociacioni do të shkojë në kontroll kushtetues dhe vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e jep një ‘po’ ai atëherë hyn në fuqi vetëm përmes mekanizmit të qeverisë”, ka nënvizuar Mushkolaj.  


MË SHUME NGA Lajme