Bislimi u takua me Heleni Vakalin, diskutuan për marrëdhëniet Kosovë-Greqi
V. Thaçi / RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.
“Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi ofroi ngushëllimet e tij më të sinqerta ambasadores Vakali në lidhje me aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur mbrëmë në Greqinë qendrore, duke thënë se i qëndrojmë pranë Greqisë në këtë moment të vështirë dhe bashkëndjejnë me miqtë grekë” thuhet në komunikatën për media nga zyra e kryeministrisë.
Po ashtu në komunikatë thuhet se Vakali vlerësoi në mënyrë të veçantë ngushëllimin e shprehur nga ana e zëvendëskryeministrit dhe atë të liderëve institucionalë në Kosovë.
“Gjatë takimit, u diskutua në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Greqi, prioritetet dhe interesat e përbashkëta, format e thellimit të bashkëpunimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Për Kosovën, Greqia është një vend partner, me të cilin synon që të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe ndërveprimi”, thuhet tutje në komunikatë.
Bislimi ka informuar ambasadoren Vakali edhe mbi zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.























