Gati dy vjet që nuk ka pasur gërmime në gjetjen e të zhdukurve|Video
Visar Shatrolli /RTK
Varreza masive në Kizhevak të Rashkës ka qenë lokacioni i fundit që janë gjetur mbetje mortore të nëntë trupave të civilëve shqiptarë.
Që nga ajo kohë nga maji i vitit 2021 asnjë lokacion tjetër apo gërmim në Serbi nuk është kryer.
Kërkimet për gjetjen e mbi 1600 personave të vrarë e më pastaj të zhdukur që nga lufta e fundit, pothuajse tash e dy vjet ka ngecur.
Madje nga kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, Ahmet Grajqevci, thotë se është zhgënjyes e indinjues për ngadalësimin e këtij procesi.
" Tash u banë dy vite që nuk kemi indetifikime të reja kjo të shtinë me mendu edhe çka po ndodhë familjarët janë të interesuar e të brengosur çka po ndodhë, në territorin e Kosovës ka disa zbulime të reja individuale por nuk kemi indetifikime prapë të reja, neve si familjar na shkon mendja që diçka po ndërron’, ka thënë Grajqevci
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se çështja e të pagjeturve në një farë forme është harruar dhe nuk është më prioritet.
" Trajtohet saktësisht si një çështje humanitare dhe jo çështje politike, ne nuk kemi pa që është trajtuar si çështje humanitare dhe nuk kemi vërejt në praktik që po i jepet një prioritet zbardhjes së personave të zhdukur “, ka thënë Blakaj.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se fajtor kryesor për ngecjen e këtij procesi është hezitimi i Serbisë për treguar lokacionet mundshme për varrezat masive.
Megjithatë, Andin Hoti, kryesues i këtij komisioni, shprehet se në muajt në vijim do të nisin gërmime në Shtaval ku dyshohet se janë të varrosur civilë shqiptarë që u dërguan me disa autobus.
"Po ne do të insistojmë që të fillojmë në qershor për shkak të kohës dhe ka shpresë që do të ketë gjetje . nuk e di por në bazë të ekspertëve që i kemi ka shpresë që do të ketë gjetje në atë vend”, ka shtuar Hoti.
Ndërkohë, familjarët e 1617 personave tash e 23 vjet presin një lajm për më të dashurit e tyre.























