Gjimshiti: Rëndësi ka ecuria e skuadrës
BKT
Sport

Gjimshiti: Rëndësi ka ecuria e skuadrës

RTSH

Mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Berat Gjimshiti, ka dëshmuar se mbetet një lojtar skuadre, i cili mendon për të mirën e përgjithshme mbi atë vetjake.

Futbollisti 30-vjeçar, i cili militon në radhët e Atalantës në Serinë A, ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttosport”, duke u shprehur se ky është një sezon shumë i barazpeshuar. Ai foli gjithashtu edhe për dëmtimin në sfidën ndaj Milanit dhe rikthimin në formacion.

 “Kur unë u transferova te Atalanta, në krye të skuadrës ishte ende Edi Reja si trajner dhe vetëm më pas erdhi Gasperini me të cilin nisëm një cikël fantastik”, - kujton futbollisti kuqezi, duke folur për median në fjalë. “U kualifikuam për në Ligën e Evropës dhe, më pas, edhe për në Ligën e Kampioneve. Në fillim të aventurës me klubin , më larguan në huazim për dy sezone, por më pas u riktheva dhe gjithçka ndryshoi” Duke folur për sezonin aktual, Gjimshiti thekson se “ky sezon është shumë i balancuar, të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe kampionati si rrjedhojë bëhet i ndërlikuar”.

“Unë besoj shumë te projekti i Atalantës, por edhe te shokët e skuadrës, - ka këmbëngulur ai. - Kemi kaluar edhe kohë më të vështira, por gjithnjë kemi ditur të rikthehemi. E kemi treguar forcën.” Futbollisti që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, ka folur edhe për dëmtimin që pësoi në nisje të sezonit aktual.

“Në dy ndeshjet e para të sezonit unë isha titullar, por më pas erdhi dëmtimi, - ka theksuar ai. - Pata një problem në sfidën me Milanin pas një dueli me Origin. Më pas kur u riktheva nga dëmtimi ishin të tjerë lojtarë që po bënin mirë në atë moment dhe nuk mund të rikthehesha menjëherë si titullar. Por, nuk ka asnjë problem në këtë pikë sepse bëhet për të mirën e skuadrës”, - ka përfunduar futbollisti i Atalantës, Berat Gjimshiti.