Kusari-Lila: Javën e ardhshme Kuvendi mban tri seanca
B. Halimi / RTKlive
Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca gjatë javës së ardhshme, ka njoftuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Seanca e parë do të jetë ajo për përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të mbahet të hënën në orën 12:00. Seanca e dytë është caktuar për mërkurën më 8 mars, nga ora 12:00 dhe do të përfshijë vazhdimin e punës me pikat e papërfunduara, teksa seanca e re e Kuvendit, do të mbahet të enjten në orën 10:00.
Në seancat e ardhshme, do të shqyrtohen dy projektligje në shqyrtim të dytë për pyjet dhe sigurinë e përgjithshme të produkteve, si dhe projektligje të tjera që janë në shqyrtim të parë.
Kusari-Lila pas mbledhjes së kryesisë në deklarimin para mediave theksoi se pozicioni i Kosovës në dialog është të ketë një qasje konstruktive, duke shtuar se Kosova ka qenë gjithmonë e bashkërenduar në hapat e saj me ndërmjetësit, duke përfshirë SHBA-të dhe BE-në. Ajo gjithashtu deklaroi se Kosova duhet të sigurojë mekanizma garantues për ngritjen e subjektivitetit të saj, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, njohjen nga shtetet mos-njohëse, ngritjen e mirëqenies dhe rritjen e volumit ekonomik të vendit.























