Hamidi: Shtrenjtimi i serishëm rrymës i ‘mbytë’ konsumatorët
BKT
Lajme

Hamidi: Shtrenjtimi i serishëm rrymës i ‘mbytë’ konsumatorët

Fadil Sertolli / RTKlive

Pas një muaji qytetarët dhe bizneset kosovare do të detyrohen t’i paguajnë për 14 për qind më shtrenjtë tarifat e energjisë elektrike, ndonëse vitin e kaluar në Kosovë ka ndodhur një shtrenjtim edhe më i lartë i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë.

Njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh gazetari Lavdim Hamidi, një lidhje të drejtpërdrejt në RTK, ka deklaruar se Kosova, edhe ashtu, është në mesin e shteteve të rajonit që e ka energjinë elektrike më të shtrenjtë, përderisa, siç tha ai, Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet të marrë vendim që prej 1 prillit rryma të shtrenjtohet edhe më shumë, duke e goditur kështu direkt standardin jetësor të shumë qytetarëve të Kosovës.

“Kosova vitin e kaluar i ka shtrenjtuar deri në 100% tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë energji elektrike. Rritja e radhës prej 14 % e tarifave të energjisë elektrike, në kohën kur mesatarja e rritjes së pagave ka qenë 10 për qind, përderisa nuk ka pasur rritje të pensioneve, pritet të jetë goditja e fundit e shtetit që nuk do të mund të përballojnë shumica e konsumatorëve ”, është shprehur Hamidi për RTK-në.

Sipas tij, ky shtrenjtim i rrymës është i papërballueshëm për shumë ekonomi familjare, pasi që, siç tha ai, në Kosovë janë mijëra punëtorë që marrin pagë minimale prej 130 dhe 170 euro, përderisa inflacioni mesatar vjetor ka shkuar në 12.1 dhe çmimet e artikujve elementarë janë rritur 40-50%.

“Paradoksi më i madh është se në veri Qeveria po dështon t’i detyrojë konsumatorët në veri të Kosovës ta paguajnë energjinë e shpenzuar, përderisa faturat e tyre të shtrenjta po i paguajnë konsumatorët tjerë të paprivilegjuar”, ka thënë për RTK-në njohësi i çështjeve ekonomike, Lavdim Hamidi.


MË SHUME NGA Lajme