Lazio e njofton me humbje Napolin
Uran Krasniqi / RTKLive
Lazio i ka dhënë fund serisë prej tetë fitore të Napolit në Serie A duke e mposhtur në "Stadio Diego Armando Maradona" të premten.
Kësisoji me fitoren e sontme 0-1 Lazio ka siguruar fitoren e tretë radhazi në ligë.
Mundësitë e pjesës së parë ishin të kufizuara për nikoqirët, ndërsa paaftësia e Napolit për të kërcënuar portën e Provedel vazhdoi edhe pas pushimit. Sado që të mundohej, Napoli thjesht nuk mundi ta thyente mbrojtjen e Lazios. Deri te epërsia e klubit nga Roma është ardhur në minutën e 67-të kur Vecino ka gjetur golin.
Gjatë tërë ndeshjes për Napolin ka luajtur edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, sikundër që për Lazion gjatë tërë kohës ka luajtur kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj.
Edhe pas kësaj humbje, Napoli mbetet në pozitën e parë me 65 pikë. Lazio pas fitores ngjitet në vendin e dytë me 48 pikë, por me një ndeshje më shumë se sa Inter dhe Milan të cilat kanë një pikë më pak.























