Presidentja Osmani i ndan Rifat Jasharit dekoratën “Urdhri i Lirisë”
M.Shefkiu/RTKlive
(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit, vëllait të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dekoratën “Urdhri i Lirisë” me rastin e 25 vjetorin të “Epopesë së UÇK-së”. Kjo dekoratë u jepet personave ose institucioneve të ndryshme që kanë merita të larta patriotike në sigurimin e lirisë, të tërësisë tokësore dhe të pavarësisë së vendit.
“Ata nuk i kurseu regjimi gjenocidal të Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5-vjeçar dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, ka thënë Osmani.
Për të bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qëndruar presidentja e vendit Vjosa Osmani Sadriu.
Duke kujtuar sulmet në Prekaz dhe pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se para 25-vjetëve, tre breza të Jasharajve luftuan tri ditë rresht, për çdo minutë në betejë këtu në Prekaz me mijëra forca policore të Serbisë, që e kishin rrethuar kullën e shtëpinë e Jasharajve në mënyrë të shumëfishtë, me ç‘rast, të udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari, ranë heroikisht gjithsej 59 veta.
Kryeministri Kurti e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe tha se kthehen e rikthehen aty për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.
“Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomik, pa harruar asnjëherë se kujt ia kemi borxh këtë liri e këtë mundësi, që të ecim përpara”, u shpreh kryeministri Kurti.
Pas homazheve te varrezat, liderët shtetëror vizituan edhe odën e Jasharëve, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jasharit.