Kurti: Shteti të bashkëpunojë sa më ngushtë me sektorin privat
BKT
Foto: Dërguar nga Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Shteti të bashkëpunojë sa më ngushtë me sektorin privat

M.Sh/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shteti si garantues i ligjshmërisë dhe si mbështetës i zhvillimit, do të bashkëpunojë sa më ngushtë me sektorin privat, që të rriten ndërmarrjet, të rritet ekonomia e rrjedhimisht edhe mirëqenia e qytetarëve.

Këto komente ai i ka bërë gjatë një vizite që i bëri fabrikës “Premium Bakery” me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Grave

Kurti i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati bashkëbisedoi me të punësuarat e mbështetura nëpërmjet Pakos së Ringjalljes Ekonomike në këtë fabrikë që ka më shumë se 200 punëtorë.

Kryeministri pa nga afër punën e fabrikës si dhe u njoftua nga drejtuesi, Besart Shatri me procesin e punës, prodhimin dhe rritjen e punësimit në këtë fabrikë.

“Diskutuam se si mund ta ndihmojnë këtë fabrikë, ashtu që të rritet prodhimtaria, të rritet punësimi, ku duhet theksuar se shumë institucione shtetërore, si për shembull spitalet edhe burgjet, furnizohet me prodhimet e “Premium Bakery”, tha kryeministri, njofton Qeveria e Kosovës.

Ai më tej shtoi se kjo është një ndërmarrësi shumë e suksesshme, ndaj së cilës jemi falënderues për produktet në tryezën tonë, por gjithashtu edhe për kontributin në ekonominë tonë.

“Meqenëse sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave, përfitoj nga rasti të përmend edhe faktin, që tek masat e Ministrisë së Financave për ndihmën e të punësuarve për Pakon e Ringjalljes Ekonomike, edhe gratë punëtore në këtë fabrikë, gjithashtu kanë përfituar”, ka deklaruar kryeministri Kurti.


MË SHUME NGA Lajme