Istrefi: Marrëveshja ka elemente “de jure” në njohjen e Kosovës nga Serbia
BKT
Lajme

Istrefi: Marrëveshja ka elemente “de jure” në njohjen e Kosovës nga Serbia

M.Miftari/RTKlive

Për pritjet që do të sjellë takimi i 18 marsit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, analistë politikë kanë interpretime të ndryshme në frytet e atij takimi mbi bazën marrëveshjes së arritur në Bruksel, më 27 shkurt.

“Duke u thelluar në analizën e përmbajtjes të dokumentit të marrëveshjes së 27 shkurtit, ekzistojnë nenet nga një deri në katër  të cilat haptazi flasin për parimet bazë të sovranitetit mes shteteve dhe ajo ka të bëjë me nenin katër të kësaj marrëveshjeje, ku Serbia për herë të parë pranon që nuk e përfaqëson Kosovën ndërkombëtarisht dhe nuk mund të flasë në emër të saj dhe nuk mund ta pengojë Kosovën në asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, deklaroi Kushtrim Istrefi, analist.

Më tej, ai shtoi se në bazë të së drejtës ndërkombëtare, Serbia jo vetëm që pranon atributet e Kosovës si shtet në kuadër të neneve nga 1-3, por në nenin 4 edhe në formë aktive heq dorë nga ideja se ajo përfaqëson Kosovën në organizatat ndërkombëtare

“Në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë njohja e heshtur që ka rëndësi veprimi ose mosveprimi i shtetit dhe jo pikëpamjet që ajo mund t’i prezantojë”, theksoi analisti Istrefi, në “Lajmet e fundit”, në RTK.

Ai ndërkaq theksoi në këtë marrëveshje është e rëndësishme që Kosova ta maksimalizojë interpretimin e saj në favor të vetin, meqë kjo marrëveshje vjen pas shumë presioneve nga ndërkombëtarët që Serbia ta njohë Kosovën

“Ajo që shohim tani është një tendencë e re që të gjendet një zgjidhje e pranimit të shteteve pa pasur një njohje formale të saj”, vuri në dukje Istrefi.

I pyetur për nenet 7 dhe 10, që konsiderohen si delikate, analisti Istrefi theksoi  se kjo marrëveshje ka dy pika të forta , ku të dyja palët kanë kërkesat e tyre të përfshira në marrëveshje e që, sipas tij, pjesa më kryesore është përfshirë në nenet nga 1-4 të marrëveshjes, ku për Kosovën paraqet një risi, ndërsa në nenin 7 është një nen i përgjithshëm, për dallim nga neni 4, që është mjaftë i qartë, derisa sikundër sqaroi ai, në nenin 7 flitet për mënyrën e zbërthimit të elementeve që ngjason me asociacionin, ku flitet për formën e menaxhimit pa specifikuar instrumentin konkret për zbatimin e saj, por që, paralajmëron ai, duhet shikuar mirë se si të zbatohet në praktikë, po kështu edhe neni 10.


MË SHUME NGA Lajme